Karikuesit dhe bateritë MagSafe për iPhone
Në modelet e mbështetura, karikuesit dhe bateritë MagSafe kapen në pjesën e pasme të iPhone ose në kasën ose këllëfin përkatës MagSafe. Magnetet sigurojnë një përputhje të përshtatshme për karikimin e shpejtë me valë, duke ju lejuar ta mbani dhe ta përdorni telefonin iPhone gjatë karikimit.
Pa përputhjen magnetike, karikuesit MagSafe mund të karikojnë edhe modele të tjera iPhone dhe kufje AirPods. (Kufjet Airpods dhe karikuesit, bateritë, kasat dhe këllëfët MagSafe shiten më vete.)
Karikimi i iPhone ose AirPods me MagSafe Charger
Lidhni MagSafe Charger me burimin e energjisë duke përdorur ushqyesin 20 W USB-C të Apple ose një ushqyes tjetër të përputhshëm (shitet më vete).
Kryeni një nga më poshtë:
iPhone: (modelet e mbështetura) Vendoseni MagSafe Charger në pjesën e pasme të iPhone ose në kasën ose mbajtësen e tij MagSafe. Simboli i karikimit shfaqet kur iPhone fillon të karikohet.
Shënim: Nëse keni lidhur iPhone Leather Wallet, hiqeni atë para se të vendosni MagSafe Charger në pjesën e pasme të iPhone.
Modelet e tjera të iPhone: Vendoseni iPhone me ekranin të kthyer lart në qendër të MagSafe Charger. Kur iPhone është përputhur si duhet me karikuesin, shfaqet në shiritin e statusit.
AirPods (gjenerata e 2-të) me kasë karikimi me valë, AirPods (gjenerata e 3-të) dhe AirPods Pro: Vendosini AirPods në kasën e karikimit, mbyllni kapakun dhe më pas vendoseni kasën me dritën e statusit të kthyer lart në qendër të MagSafe Charger. Kur kasa është përputhur si duhet me karikuesin, drita e statusit ndizet për disa sekonda dhe më pas fiket ndërkohë që vazhdon karikimi.
Shikoni artikullin Si të përdorni MagSafe Charger në Apple Support.
Karikimi i iPhone ose AirPods dhe Apple Watch me MagSafe Duo Charger
Me MagSafe Duo Charger, mund ta karikoni telefonin iPhone ose kufjet AirPods në të njëjtën kohë që karikoni Apple Watch. (MagSafe Duo Charger, Apple Watch dhe AirPods shiten më vete.)
Lidhni MagSafe Duo Charger me burimin e energjisë duke përdorur ushqyesin 20 W USB-C të Apple ose një ushqyes tjetër të përputhshëm (shitet më vete).
Për të karikuar iPhone ose AirPods, kryeni një nga më poshtë:
iPhone: Vendoseni iPhone me ekranin të kthyer lart në qendër të sipërfaqes së karikimit të iPhone. Modelet e mbështetura ju ndihmojnë ta përshtatni iPhone me karikuesin dhe simboli i karikimit shfaqet kur iPhone fillon të karikohet. Në modelet e tjera, treguesi i karikimit të baterisë shfaqet kur e përshtatni si duhet iPhone me sipërfaqen e karikimit. Përveçse nëse iPhone është në modalitetin Silent, do të dëgjoni një tingull kur të fillojë karikimi.
Shënim: Nëse keni lidhur iPhone Leather Wallet, hiqeni atë para se ta vendosni iPhone mbi MagSafe Duo Charger.
AirPods (gjenerata e 2-të) me kasë karikimi me valë, AirPods (gjenerata e 3-të) dhe AirPods Pro: Vendosini AirPods në kasën e karikimit, mbyllni kapakun dhe më pas vendoseni kasën me dritën e statusit të kthyer lart në qendër të sipërfaqes së karikimit të iPhone. Kur kasa është përputhur si duhet me karikuesin, drita e statusit ndizet për disa sekonda dhe më pas fiket ndërkohë që vazhdon karikimi.
Për të karikuar Apple Watch, kryeni një nga më poshtë:
Me sipërfaqen e karikimit të Apple Watch të vendosur në nivel dhe shiritin e Apple Watch të hapur, vendosni mbi sipërfaqen e karikimit Apple Watch me ekranin e kthyer lart.
Kur sipërfaqja e karikimit e Apple Watch është e ngritur, vendoseni Apple Watch në anë me pjesën e pasme drejt sipërfaqes së karikimit. Apple Watch kalon automatikisht në modalitetin Nightstand, kështu që mund ta përdorni edhe si orë me zile.
Sipërfaqja e lugët e karikimit kapet në mënyrë mangnetike me pjesën e pasme të Apple Watch dhe përshtatet si duhet. Kur fillon karikimi, në fushën e orës shfaqet një simbol karikimi.
Karikimi i iPhone me MagSafe Battery Pack
MagSafe Battery Pack lidhet në mënyrë magnetike me modelet e mbështetura dhe rrit kohëzgjatjen e bateritë.
Shënim: Nëse keni lidhur iPhone Leather Wallet, hiqeni atë para se të vendosni MagSafe Battery Pack.
Karikoni telefonin tuaj iPhone kur jeni në lëvizje: Vendoseni MagSafe Battery Pack në pjesën e pasme të iPhone ose në kasën ose mbajtësen e tij MagSafe. Simboli i karikimit shfaqet kur iPhone fillon të karikohet.
Shikoni statusin e baterisë së MagSafe Battery Pack dhe iPhone: Kontrolloni miniaplikacionin Batteries te Today View ose në Home Screen. Shikoni Shtimi i miniaplikacionit Batteries te Lock Screen ose Home Screen.
Karikoni MagSafe Battery Pack dhe iPhone: Me MagSafe Battery Pack në iPhone, lidhni secilën pajisje me energjinë elektrike duke përdorur kabllon USB-C-Lightning ose kabllon USB-C dhe ushqyesin Apple 20 W USB-C ose një ushqyes tjetër të përputhshëm (fuqia minimale e energjisë elektrike prej 20 vat; shitet veçmas). Treguesi i statusit në MagSafe Battery Pack është portokalli gjatë karikimit dhe më pas bëhet jeshil kur përfundon karikimi.
Shënim: Si parazgjedhje, karikimi është i kufizuar në 90 për qind për optimizimin e jetëgjatësisë së MagSafe Battery Pack. Për të hequr kufirin e karikimit, hapni Control Center, trokitni te Low Power Mode dhe më pas trokitni te Charge past 90%.
Mund ta karikoni MagSafe Battery Pack edhe pa telefonin iPhone.
Shikoni artikullin Si të përdorni MagSafe Battery Pack të apple Support.