Jump to content

provë

Nga Wiktionary

PROVË f.

1. E dhënë që sillet për të vërtetuar, për të mbrojtur ose për të hedhur poshtë diçka; dëshmi, fakt, argument. Provë bindëse (e gjallë). Provë lëndore (materiale). drejt. E vërtetoi me prova. Ka dhënë prova zotësie. E liruan për mungesë provash.

2. Copë e vogël që merret nga diçka për analizë a për eksperiment; diçka që mbahet a ruhet si mostër. E mori (e mban) për provë.

3. Vërtetim në praktikë i të dhënave të diçkaje që duam ta njohim a ta studiojmë më thellë e në kushte të caktuara; eksperiment që bëhet për të marrë të dhëna për diçka ose për ta vërtetuar atë. Prova e parë (e dytë...). Provë laboratorike. Prova e fortësisë. Bëri një provë.

4. Veprim paraprak që bëhet për të kontrolluar saktësinë a masën e diçkaje, para se ta përfundojmë (për një petk, për një vegël që prodhohet etj.). Prova e parë (e dytë...). Bëri provë kostumin.

5. Tërësia e veprimeve ose shfaqja që bëhet për të kontrolluar shkallën e përgatitjes a të gatishmërisë para se të ndërmerret një punë, të jepet shfaqja e rregullt etj. Provë gatishmërie. Prova e përgjithshme. Salla e provave. Ishte vetëm një provë. Kanë provat.

6. Diçka e vështirë që duhet ta bëjë dikush për të parë aftësitë e tij para se t'i ngarkohet një detyrë me përgjegjësi; gjendje e vështirë, fatkeqësi etj. që dikush duhet ta përballojë dhe që vërteton qëndrueshmërinë e tij; sprovë. Provë e vështirë. Prova e zjarrit. Vite prove. Kishte kaluar sa e sa prova. I bëri ballë çdo prove. E vuri në provë dikë e provoi.

7. vjet. Provim. E mori në provë.

8. mat. Veprimi me të cilin vërtetojmë se një llogaritje është e përpiktë. Prova e mbledhjes (e zbritjes, e shumëzimit, e pjesëtimit). Bëri provën.

  • Gur prove libr. parimi a kriteri themelor që shërben për të provuar qëndrimin ndaj diçkaje.