Jump to content

Xhamia e Plumbit, Shkodër

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhamia e Plumbit
Xhamia e Plumbit pa minare
VendndodhjaShkodër, Shqipëri
Koordinatat42°02′47″N 19°29′58″E / 42.0465°N 19.4995°E / 42.0465; 19.4995
Ndërtuar1187 H (1773/1774)
Stili arkitekturorosmane
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI
Përcaktuar1948
Nr. i referencësSH148
Xhamia e Plumbit, Shkodër is located in Earth
Xhamia e Plumbit, Shkodër (Earth)

Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet pashë Bushatit (tr. Kurşunlu Cami) është një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. E ndërtuar më 1773/1774, është ndërtesa më e mrekullueshme e vjetër dhe xhamia osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë.[1] Të dhënat e kronikës së Jusuf Tabakut kumtojnë se xhamia u ndërtua me gurë të sjellur prej popullit me sistem zinxhir (dorë më dorë) prej Gurit të Zi, dhe me tepricat u ndërtuan këmbët e urës së Kirit.[2]

Quhet e Plumbit, sepse në kohën e sundimit osman, kubetë e xhamisë ishin të veshura me shtresa plumbi. Me kohën dhe braktisjen e lagjes, njerëz nisën t'ia hiqnin plumbin për ta shitur. Në kohën e pushtimit austro-hungarez, organet ushtarake vazhduan këtë vepër shkatërruese, duke ia hequr plumbin e mbetur.[3]

Foto e hershme, me minaren

E ndërtuar nga Mehmet pashë Plaku i Bushatllinjve, shënjoi rëndësinë e fushës në lindje të kodrës së kalasë, e cila asokohe po gëzonte një zhvillim të madh në përvijim të Pazarit.[4] E tillë ishte begatia e lagjes Tabake.[3] Pllaka e gdhendur mbi portën e xhamisë shkruan:[5]

"Zotëria i bamirësisë dhe veprave të mira Mehmed Pasha

E ndërtoi këtë xhami fisnike në vitin 1187 Hixhri (1773/74)"

"Kujdestari i xhamisë fisnike Haxhi Mahmud Berberi

Data e riparimeve në vitin 1280 H (1863/1864)".

Një meremetim i radhës iu bë më 1920 prej fondeve të Xhelal Pashës, nip i vezirit. Shteti shqiptar e ka shpallur monument kulture që në vitin 1948. Minarja e saj u shkatërrua nga një rrufe më 1967 sipas Hamdi Bushatit,[6] ndërsa historiani i arkitekturës osmane Machiel Kiel kumton se minarja e pësoi nga fushata e Revolucionit Kulturor.[5][7]

Qartësisht e frymëzuar prej madhështisë së xhamive sulltanore të Stambollit. Hyrja në të kryhet përmes një oborri të bollshëm, me hapsirë brenda mureve 12.50 x 13.80 m, i vetmi shembull i këtij lloji në Shqipëri duke qenë ndër të paktat xhamia që theu privilegjin perandorak për përdorimin e këtij elementi. Oborri i brendshëm është i vendosur në mënyrë të tërthortë përpara sallës së lutjeve. Nga jashtë, salla e lutjeve shfaqet si një bllok i ulët që mbahet nga një tambur tetëkëndor shumë i lartë, mbi të cilin qëndron një kupolë gjysmë-rrethore. Nga brenda, salla shfaqet si një hapësirë e lartë dhe e bollshme, edhe pse përmasat e saj janë vetëm 9,15 m2.[1]

  1. ^ a b Kiel, Machiel (2012) [1990]. Arkitektura osmane në Shqipëri (1385-1912). Përkthyer nga Holta Vrioni. Stamboll: IRCICA. fq. 380, 391. ISBN 9789290632429.
  2. ^ Bushati 1998, pp. 58, 260.
  3. ^ a b Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 56. OCLC 41096394.
  4. ^ Kiel 2012, p. 344.
  5. ^ a b Kiel 2012, p. 353.
  6. ^ Bushati 1998, p. 57.
  7. ^ Kiel, Machiel (2005). "Un héritage non désiré: le patrimoine architectural islamique ottoman dans l'Europe du Sud-Est, 1370–1912". Études balkaniques (në frëngjisht). 12: 15–82. ISSN 2102-5525.