Jump to content

Veli Dedi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjeneralmajor Veli Dedi (5 prill 1912 - 3 shkurt 1995) u lind më 5 prill 1912 në Dedaj (Dedë), lagje e Medvegjës. Ishte drejtor i xhenios së Ushtrisë Shqiptare, komandant i Garnizonit të Tiranës dhe më pas drejtor i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë. Në Shqipëri është shpallur Hero i Popullit.

Stërgjyshërit dhe gjyshërit e Veli Dedit ishin pjesëmarrës të luftërave të shumta, para, gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit, në rezistencë për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Veli Dedi, në moshën 4-vjeçare mbeti pa baba. Kjo ndikoj që gjatë tërë jetës të ndiente një zbrazëti të madhe në shpirtin e tij, që u përpoq të kompensonte përmes dashurisë ndaj vendlindjes dhe kombit të vet.

Filloren e kreu në Medvegjë dhe Gazdar, gjimnazin në Leskoc, kurse Fakultetin e Makinerisë në Beograd. Më 1932, në moshën 20 vjeçare, erdhi në Shqipëri dhe në Tiranë përfundoj Shkollën Ushtarake Mbretërore dhe më pas u diplomua në Itali në Akademinë e Artilerisë dhe të Xhenjos.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe gjatë studimeve në Itali njihet me shumë patriotë shqiptarë, si Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Emrush Miftari, Ibrahim Gjakova, Sali Vuçitërrna, Xhemajl Kada, Asim Vokshi e tjerë.

Më 1933 bëhet anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. 

Pjesëmarrja e tij në luftën e Spanjës dhe Francës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasi plas lufta qytetare në Spanjë, merr pjesë në të dhe më 1937 gradohet kapiten, kurse më 1938 dekorohet me Urdhrin e Kavaleristit të Lirisë "No Pasera" si dhe gradohet në detyrën e shefit Operativ të Divizionit të Ebros. Për 3 vjet luftoj në brigadat ndërkombëtare në mbrojtje të Republikës së Spanjës. Përjetoi dhimbjen, për shokët shqiptarë që ranë atje si: Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Xhemal Kada, Zef Hoti, Thimio Gogozoti e Teni Konomi. Bashk me shokët e tij të betejave si: Mehmet Shehu, Petro Marko, Skënder Luarasi, Justina Shkurti, Zef Prela etj, dhe me luftëtarët spanjollë të lirisë luftuan në fillim në Brigadën “Garibaldi” së bashku me shumë vullnetarë antifashistë italian e pastaj përkrah brigadave internacionale të vullnetarëve antifashistë nga 57 vende të botës, përfshi Batalionin “Abraham Linkoln”, të Amerikës.

Pas mbarimit të luftës në Spanjë vendoset në një kamp përqendrimi në Francë, gjatë të cilës kohë mësoi rrjedhshëm gjuhën frënge. Si ushtarak i shkëlqyeshëm inkuadrohet në grupet antifashiste dhe shumë shpejt emërohet komandant i Forcave çlirimtare për Departamentin e Marsejës, kurse për zotësinë dhe guximin që kishte e shpallin "Shqipëtari trim" (Vaillant Albanias). Ai me njësi të vogla operative nëpër rrugët e Marsejës i thyente njësite shumë më të mëdha fashiste.

Më 1944, Veli Dedi në sajë të aftësisë së tij dorëzohen 37 mijë fashistë, të cilët po luftonin që ta rrënonin tërë Marsejën. Arriti që t’i bindë të dorëzohen në sajë të njohjes së të gjitha konventave ndërkombëtare në mënyrë profesionale e në hollësi dhe te sigurisë që ua kishin garantuar njësitë franceze. Në ballë të kryengritësve francezë priu me flamur në dorë dhe vendosi flamurin e fitores në maje të kështjellës në kodrën e Marsejës po me thirrjen ‘Rroftë Franca e Lirë’. Marseja u çlirua. 

Kthimi i tij në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1946 kthehet në Shqipëri me gradën e majorit francez. Ndërkohë emërohet drejtor i xhenios së Ushtrisë Shqiptare dhe më pas avancohet edhe me gradën gjeneral-major dhe merr titullin e Heroit të Popullit. Ishte edhe komandant i Garnizonit të Tiranës dhe shërbeu për shumë vite si deputet i Rrethit të Barjam Currit - Tropojë, më pas drejtor i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë. Më vonë, pas daljes në pension u zgjodh si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ dhe njëkohësisht edhe si anëtar i Forumit Drejtues të FIR-it (Federata Internacionale e Rezistencës Antifashiste).

Vitet e fundit të jetës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas daljes në pension, Veli Dedi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të veteranëve të Luftës Antifashiste.

Veli Dedi e dinte edhe anglishten e gjermanishten, kurse për Hasan Prishtinën thoshte: "Në jetë tri herë kam qëndruar gatitu para shpirtit dhe mendjes së tij të ndritur: herën e parë kur kam dëgjuar pë vrasjen e Hasan Prishtinës, herën e dytë kur i kam lexuar kujtimet e ti për Kryengritjen Shqiptare në Kosovë më 1912 dhe herën e tretë, më 1977, kur eshtrat e Hasanit u sollën në Shqipëri”.

Po ashtu e ka lënë të shkruar thënien "Kam frikë se po vdiqa pa e çliruar Kosovën, s’do të më tret dheu”.

Në Shqipëri është shpallur Hero i Popullit.

Gjeneralmajor Veli Dedi , vdiq më 3 shkurt 1995 në Tiranë. Varrimi i gjeneralmajor Veli Dedit, si luftëtar veteran i Spanjës dhe si komandant në operacionet e çlirimit të Departamentit të Marsejit, si ushtarak besnik i kombit shqiptar, si deputet shumëvjeçar i Rrethit të Bajram Currit, u bë me nderime shtetërore. Në ceremoninë e varrimit u lexuan telegramet e Presidentit, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të veteranëve të Shqipërisë. Në ceremoninë e varrimit përfaqësuesi i Ambasadës së Francës në Tiranë, si atashe ushtarak, ndër të tjera theksoi: "Më vjen keq që një shqiptar që ka luftuar për çlirimin e popullit tim, unë e takoj të vdekur”.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

VELI DEDI

Lista e mbajtësve të titullit "Hero i Popullit"

https://web.archive.org/web/20170912192814/http://medvegja.net/index.php/2012-06-29-00-08-12/gjeneralmajor-veli-dedi

http://telegraf.al/dosier/veli-dedi-si-luftoi-ne-spanje-perkrah-mehmet-shehut-e-petro-markos

http://www.zemrashqiptare.net/news/id_42596/Demir-Krasniqi:-Veli-Dedi-–-hero-i-popullit.html

https://web.archive.org/web/20200122215555/http://www.qmksh.al/5-prill-1912-lindi-ushtaraku-veli-dedi-luftetar-i-brigadave-nderkombetare/

https://web.archive.org/web/20180221101551/http://bujanoci.net/medvegja-e-vogel-e-veli-dedit-ndodhet-ne-stubline/

http://www.forumishqiptar.com/threads/63702-Heronjte-e-Popullit

http://kosova-sot.info/lajme/69573/vendlindja-nuk-e-harron-as-gjeneralin-shqiptar-te-cilit-francezet-i-ngrihen-ne-kembe/

https://web.archive.org/web/20200122215555/http://www.qmksh.al/5-prill-1912-lindi-ushtaraku-veli-dedi-luftetar-i-brigadave-nderkombetare/