Jump to content

Shuk Gurakuqi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shuk Gurakuqi
Ministër i Financave
Në detyrë
3 dhjetor, 1941 – 4 janar, 1943
Paraprirë ngaQemal Vrioni
Pasuar ngaLoro Muzhani
Të dhëna vetjake
U lind më22 nëntor, 1888
Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më13 prill, 1969
Shkodër, Shqipëri
NënshtetësiaShqiptar
PunësimiLlogaritar, ekonomist, nëpunës, ministër

Shuk Gurakuqi (Shkodër, 28 mars 1888 - 13 prill 1969) ka qenë ekonomist financier, vullnetar i Luftës së Koplikut, deputet i të parit kuvend shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjes. Pas pushtimit italian u emërua ministër Financash në qeverinë e Mustafa Krujës.

Leu në Shkodër, i biri i Ndrekë Gurakuqit dhe Tinës së Simë Zef Simonit. Mbiemri i vërtetë i familjes ka qenë Rranxi sipas Ejëll Çobës, nuk dihet si ka ngelë mbiemri i tanishëm.[1] Ka studiuar në Kolegjin Saverian në Shkodër dhe ka përfunduar mësimet në Institutin Teknik Tregtar të këtij Kolegji, duke u diplomuar në korrik të 1906. Pas përfundimit të studimeve fillimisht u punësua mësues i klasave fillore te Saverianët, ku punoi për katër vite.[2]

Përktheu dramën me pesë akte të Silvio Pelikos, "Bardha e Ferdinandit" më 1909.[3]

Gjatë periudhës prej nëntorit 1910 e deri në fund të majit 1914 ka qenë drejtor i firmës tregtare Lazzaro G. Simoni (të bijtë e Lac Zef Simonit) në Shkodër. Nga 6 qershori i 1914 deri në 26 qershor të 1915 ka qenë arkëtar në Doganën e Shkodrës. Vullnetar si rregullues i shpërndarjes së ushqimit të të varfërve pranë Bashkisë Shkodër për gjashtë muaj, nga marsi deri në shtator 1916. Më 16 shtator u emërua në bashki shef i Seksionit të Financave deri më 9 korrik 1918. Më pas anëtar i një komisioni të formuar në Shkodër për të mbikëqyrur dhe kontrolluar zyrat qeveritare të qytetit nën kryesinë e Bajram Fevziut.[2]

Doli vullnetar për tre muaj në luftën kundër serbëveKoplik gushtin e 1920.[4] Më pas anëtar në Këshillin Administrativ të Prefekturës së Shkodrës nga 20 mars 1920 deri në qershor të vitit 1921[2] dhe kryetar i shoqërisë "Rozafat".[5]

Financoi dhe u bë "drejtor i gjegjshëm" i fletores "Ora e Maleve" të P. Anton Harapit e Dom Lazër Shantojës, që ishte zëri i grupit politik me të njëjtin emër.[6] U zgjodh deputet i qarkut të Shkodrës në legjislaturën 1921-1923 dhe për zgjedhjet e viteve 1923-1925.[2] Në këtë interval kohor ka qenë gjithashtu anëtar i Komisionit të Financave dhe Post-Telegrafës së Kuvendit të Shqipërisë.[7] Qe emigrant politik në Itali prej 24.12.1924 e deri më 28.10.1938, ndërsa Lëvizja e qershorit '24 ku shumë miq të tij qenë të përfshirë, e gjeti shtruar në një spital të Romës.[1]

Gjatë emigracionit qe përfaqësues civil i Klerit Katolik Shqiptar në mbledhjen e të mërgimtarëve antizogistë që u mbajt në Vienë, 1925. Me të kuptuar që mbledhja anonte nga Bashkimi Sovjetik ngase në Vienë asokohe ishte vendosë qendra e Komintern-it, dhe me këtë bekim u formua Konare-ja u kthye në Romë për të njoftuar Imzot Mjedën dhe P. Fishtën. Gurakuqi u tërhoq nga implikimi me sovjetikë dhe u zëvendësua nga Angjelin Suma.[8] Pati miqësi të ngushtë me Mustafa Krujën. Por në rastin e telegramit të përgëzimit të drejtuar Musolinit me rastin e lidhjes së aleancës midis Italisë e Shqipërisë më 1927 nga Kruja, e cila Shuku iu duk si aprovim i politikës italofile të Zogut dhe nuk ishte dakord.[1] Qe drejtor i firmës tregtare "Vllazën Prennushi" në Shkodër prej 1 janarit 1939 deri më 30 nëntor it1941 dhe bashkëpunëtor me firmën tregtare "Serreqi" në Trieste.[2] I bëri kërkesë zyrtare në Legatën Shqiptare të Romës për pasaportë, prejse donte të merrte leje me hapë një filial të firmës "Prennushi" në Shkodër. Zbarkimin italian e mori vesh në Vlorë, nuk mori pjesë në dërgatën e asambleistëve të zgjedhur nga paria e Shkodrës bashkë me Hafiz Ali Krajën.

Emërohet Ministër i Financave në Tiranë, prej 03 dhjetor 1941 e deri më 19 janar 1943 në qeverinë Kruja. Kur e thirrën në Mëkambësi nga fundi i vitit 1941 për t'i propozuar emërimin si ministër i Financave, ka refuzuar. Pas pak ditësh u thirr nga Mustafa Kruja që i kujtoi kur e kishte pyetur gjatë emigracionit se po t'i kërkonte bashkëpunimin a do të pranonte e ai ishte përgjigjur: "po", atëherë Shuku kishte pranuar të bëhej Min. i Financave në qeverinë e Krujës.[1] Në maj të 1943 mori pjesë në varrimin e Ndok Gjeloshit në Tiranë, vrarë nga njësitë guerrile.[9]

Pas çlirimit, u arrestua dhe u burgos në Shkodër më 22 janar 1945 dhe u dënua prej Gjyqit Special në Tiranë mbas vendimit të dhënë me 13 prill 1945 me burgim të përjetshëm. Kur prokurori Bedri Spahiu i lexoi akt-akuzën, Shuku iu drejtua kryetarit të trupit gjykues Koçi Xoxe:[10]

«e keni kot qi më lexoni akt akuza. Ç’prej dhetorit 1941 qi u emnova ministër i Financave e deri ditën qi kena paraqitë dorhjekjen si qeveri, për çdo veprim qi âsht bâ prej Ministrisë Financave si edhe për çdo shkresë qi ka dalë prej saj, mos e lodhni mênden gjatë, të tânë përgjegjsinat i mbaj unë

Me dekretin e datës 27 prill 1949 dënimi iu zbrit nga burgim i përjetshëm në 20 vjet. Mbas disa zbritjeve të tjera ka përfituar edhe 2 vjet, 8 muaj e 2 ditë. Ka qëndruar në burg gjithsej (ndër burgje të ndryshme në Shkodër, Tiranë, Durrës e shumicën në Burrel) 17 vjet, prej 22. janarit 1945 deri më 20 maj 1962. Periudhën pas burgut e kaloi në varfëri të plotë. Gjatë kësaj periudhe izolimi të plotë, u muar veç me lexime e punime shkencore. Mbante shoqëri e marrëdhënie të plota me mikun e tij të vjetër Gjon Kamsin, që e vizitonte vazhdimisht, me kushërinjtë e tij që ishin në Shkodër Simon dhe Lazër Gurakuqin. Ndërroi jetë nga një sëmundje e shpejtë më 1966. Në varrimin e të cilit, përveç rrethit të ngushtë familjar, ndonjë miku a shoku të ngushtë; pati shumë pak njerëz nga frika e luftës së klasave që zhvillohej asokohe.[2]

  1. ^ a b c d Çoba, Ejëll (2012). Jetë e humbun. Tiranë: Adelprint. fq. 122–124, 130. ISBN 978-99956-32-04-5.
  2. ^ a b c d e f Misja, Vladimir (24 tetor 2007). Shuk (Pashko) Gurakuqi, ministri (i dënuar) i financave (1888 - 1960): ekonomistë të shquar në vite. Monitor. - Nr. 42. fq. 47.
  3. ^ Hoti G.K., Si e ndryshojnë historinë…- Kritika e historise se Teatrit Kombëtar Shqiptar
  4. ^ Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 129. ISBN 978 9943 56 22 5
  5. ^ "Lajme. - Rrokull Shqypnís". bibliotekashkoder.com. Hylli i Dritës v. 2, nr. 2. qershor 1921. fq. 89. Arkivuar nga origjinali më 2 maj 2018. Marrë më 24 qershor 2018.
  6. ^ Çefa, Kolec (2013). Grupi "Ora e Maleve" dhe publicistika e tij. Tiranë: Gjergj Fishta. fq. 116. ISBN 9789928161215.
  7. ^ Istrefi, Diana (2005). "Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005" (PDF). parlament.al. Tiranë. fq. 10. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 tetor 2020. Marrë më 24 qershor 2018.
  8. ^ Kruja, Mustafa; Margjokaj, P. Paulin (2006). Letërkëmbim (1947-1958). Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 65–66. ISBN 99943-34-47-6.
  9. ^ Pepa P., "Lazër Shantoja (1891-1945)" Publikue ne albanovaonline.com me 5.3.2008
  10. ^ Korça, Mërgim (10 korrik 2006) Përkujtesë e drejtuar historianëve të Akademisë Shkencave, Tiranë: [Roli i qeverisë së Mustafa Krujës gjatë LNÇ dhe përcaktimi i qartë i termit dhe pasojave historike e politike të kolaboracionizmit], Gazeta 55. - nr. 183, f. 10-11.