Jump to content

Recesioni i madh

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Harta botërore që tregon nivele reale të rritjes së PBB-së për vitin 2009; vendet në kafe ishin në një recesion.

Recesioni i Madh ishte një periudhë e rënies së përgjithshme ekonomike (shih: recesioni) e vërejtur në ekonomitë kombëtare globalisht gjatë fundit të viteve 2000. Shkalla dhe koha e recesionit ndryshonte nga një vend në tjetrin. [1] [2]Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e konsideron krizën e vitit 2008 si rënia më e rëndë ekonomike dhe financiare që nga Depresioni i Madh, megjithëse përfundimisht u eklipsua nga Bllokimi i Madh prej Koronavirusit në vitin 2020. [3] [4] [5]

Shenjat e para të krizës ekonomike u paraqitën në gusht të 2007-ës, por 2008-ta ishte viti i krizës së vërtetë financiare, e cila e futi ekonominë e Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Japonisë në recesion, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore.[6] Ashtu si dhe me shumicën e recesioneve të tjera, duket se asnjë model zyrtar i njohur teorik ose empirik nuk ishte në gjendje të parashikonte me saktësi ecurinë e këtij recesioni. [7]

Historiku dhe shkaqet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Recesioni i Madh e kishte zanafillën në periudhën pas sulmit ndaj Kullave Binjake të 11 shtatorit 2001. Sistemi i Rezervës Federale (FED) uli normën e tij të referencës, në mënyrë që të ulte normat e interesit të tregut dhe të shmangte një ngadalësim të kreditimit dhe aktivitetit ekonomik në SHBA. Këto vendime ekonomike nga FED u pasuan me një politikë të qeverisë së SHBA për të promovuar blerjen e shtëpivem, duke sjell një zgjerim dhe rritje të hipotekave. Subjektet financiare, nga ana e tyre, hodhën në treg produkte të reja të quajtura hipoteka subprime, që synonin veçanërisht klientët me rrezik të lartë. Me fjalë të tjera, probabiliteti i mospagimit ishte shumë i lartë.[8]

Zhvillimet ekonomike botërore gjatë vitit 2008 dhe sidomos pjesës së dytë të vitit, dëshmuan për shndërrimin e krizës financiare ndërkombëtare në një krizë ekonomike me ndikim global. Integrimi mjaft i lartë i tregjeve financiare mes vendeve të zhvilluara, lejoi shfaqjen e shpejtë të krizës në këto vende; kurse procesi i hapjes së tregjeve ekonomike, solli shtrirjen e qëndrueshme të efekteve të krizës për vendet në zhvillim.[9]

Kriza e hipotekave sub-prime në SHBA

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Disa variabla të mëdhenj ekonomikë të SHBA-së u rikuperuan nga kriza e hipotekave 2007-2009 dhe nga recesioni i madh deri në periudhën kohore 2013-2014.

Shkaqet e recesionit të madh përfshijnë një kombinim të cenueshmërisë që u zhvillua në sistemin financiar, së bashku me një seri ngjarjesh nxitëse që filluan me shpërthimin e flluskave të banesave të Shteteve të Bashkuara në vitet 2005-2006. Ndërsa në këto vite, institucionet e kreditit dhanë hipoteka me norma interesi të rregullueshme, blerësit prisnin që normat e interesit të mbeteshin të ulëta, por FED ndryshoi politikën e saj monetare ekspansioniste midis 2004 dhe 2006, duke rritur normën e saj të referencës dhe, për rrjedhojë, duke rritur normat e interesit të tregut. Për rrjedhojë, këta debitorë duhej të përballeshin me shpenzime më të larta financiare, kryesisht prej rritjes së interesit, të cilat nuk mund t’i paguanin.[8]

Njëkohësisht, çmimet e banesave filluan të ulen dhe pronarët e shtëpive filluan të largohen nga hipotekat e tyre, ndërsa vlera e letrave me vlerë të mbështetura në hipotekë dhe të mbajtura nga bankat e investimeve u zvogëlua në vitet 2007-2008, duke shkaktuar një reaksion zinxhir. Kjo fazë 2007–2008 u quajt kriza e hipotekave. Kombinimi i rritjes së numrit të bankave, që u gjendën në pamundësi për të siguruar fonde për bizneset, dhe pronarët e shtëpive që nuk paguanin dot më borxhin hipotekor dhe shpenzimin, rezultuan në recesionin e madh që filloi në SH.B.A zyrtarisht në Dhjetor 2007 dhe zgjati deri në Qershor të vitit 2009, duke zgjatur kështu mbi 19 muaj. [10]

Tregjet e aksioneve humbën rreth 1/3 e vlerës së tyre, ose rreth 40 për qind të vlerës së tyre të shprehur në dollarë. Pasiguria nxiti një zhvendosje masive të fondeve në mbarë botën drejt bonove të thesarit të qeverisë së SHBA, tradicionalisht të perceptuara si pa rrezik. Kjo solli uljen e normës së tyre të kthimit nga investimi pothuaj në zero dhe rriti kërkesën për dollarë kundrejt monedhave të tjera. Besimi i publikut gjithashtu u lëkund, duke u shoqëruar me rënie të afateve të maturimit dhe rënie të vlerës së kursimeve në banka.[8]

Gjatë vitit 2008, mjaft banka dhe institucione të tjera financiare, me rëndësi botërore, pësuan humbje të mëdha financiare dhe rënie të kapitalit. Autoritetet rregullatore në SHBA dhe në Evropë ndërhynë për të marrë nën administrim ose për të mbyllur institucione financiare me peshë, të cilat po ndodheshin në vështirësi nga kriza e hipotekave dhe reaksionet e saj zinxhir. Në të gjithë këtë kontekst, pati rënien e institucioneve financiare më të mbi-borxhuara, së pari, Bear Stearns në mars të vitit 2008. Më vonë, momenti historik i falimentimit të Lehman Brothers ndodhi në shtator të po atij viti. Veçanërisht, vendimi i autoriteteve amerikane për të lejuar falimentimin e bankës së investimit "Lehman Brothers", duke konsideruar pozicionin e saj aktiv në tregjet botërore të instrumenteve financiare që rifinanconin kreditë për shtëpi dhe ato derivative, vuri në alarm tregjet financiare dhe rriti shqetësimin e institucioneve financiare për sigurinë e njëri-tjetrit.[8][9]

Shqetësim të madh paraqiti dhe mundësia e kolapsit të industrisë së automjeteve, të cilës qeveria federale e SHBA i ndau 17.4 miliardë dollarë.[6]

Kriza në Evropë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Deri në shtator të vitit 2008, Evropa e shihte krizën vetëm si punë të Amerikës, por nga fundi i shtatorit kriza e kaloi Atlantikun. Në Britani filloi shtetëzimii i dy huadhënësve, Bradford dhe Bingley, ndërsa në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg i grupit të sigurimeve Fortis. Kriza filloi të ndjehet shumë edhe në tregjet e Rusisë, ku investitorët filluan të ikin, ndërsa tregjet e bursave në Moskë i zuri paniku dhe disa herë u mbyllën.

Në Bashkimin Evropian, përfaqësuesit më të lartë të vendeve anëtare, organizuan një sërë takimesh për të realizuar një harmonizim më të madh të veprimeve për përballimin e krizës. Në datën 12 tetor 2008 u realizua takimi i kryeministrave të vendeve të Eurozonës dhe drejtuesve të BQE. Në deklaratën zyrtare të këtij takimi, përfaqësuesit më të lartë të vendeve të Eurozonës mbështeten masat e marra deri në atë kohë, në drejtim të mbështetjes së institucioneve financiare me rëndësi sistemike dhe të parandalimit të falimentimit të tyre. Në të njëjtën kohë, këto autoritete shprehën angazhimin e tyre për të vepruar së bashku në mënyrë të vendosur dhe të plotë për të rivendosur besimin në funksionimin normal të sistemit financiar, duke synuar vendosjen e kushteve të përshtatshme të financimit për ekonominë.[9]

Më 26 nëntor, Komisioni Evropian shpalli Planin e Rigjallërimit Ekonomik Evropian, i cili synonte: a) vendosjen e masave për rritjen e kërkesës së brendshme, ruajtjen e niveleve të punësimit dhe rivendosjen e besimit në sistemin financiar në afat të shkurtër; dhe b) realizimin e investimeve eficiente për të ruajtur rritjen ekonomike dhe një mirëqenie të qëndrueshme në afat të gjatë. Ky plan, ofroi një stimul prej 200 miliardë eurosh për ekonomitë e BE, ose rreth 1.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Bashkimit Evropian. Në mënyrë individuale, disa vende anëtare, kishin përgatitur tashmë planet e tyre kombëtare për mbështetjen e sektorit financiar dhe për lehtësimin e kushteve të kreditimit, në përputhje me parashikimet e rregullave të Komisionit Evropian për ndihmën shtetërore.[9]

Gjendja më dramatike u krijua në Islandë, ku kolapsoi sistemin bankar dhe shpëtimi u kërkua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Vendet e Eurozonës regjistruan një tkurrje të ekonomisë me 4% gjatë  vitit  2009, por për këto vende, Komisioni Evropian  parashikoi një rritje ekonomike modeste me 0.7%  gjatë  vitit  2010, ku  kontributin  kryesor do ta japin vendet më të fuqishme si Gjermania dhe Franca. [11]

Evropa Lindore dhe vendet në zhvillim

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë vitit 2000, vendet e Balltikut dhe ato të Evropës Qëndrore dhe Juglindore njohen përgjithësisht rritje ekonomike të qëndrueshme dhe stabilitet financiar në sajë të reformave strukturore të nxitura nga procesi i integrimit në BE, rritja e flukseve të parasë në formën e investimeve direkte dhe të portofolit, rritja e produktivitetit dhe forcimi i pozicionit konkurrues në tregtinë e jashtme, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, rritja e të ardhurave dhe konsolidimi i gjendjes fiskale. Në sektorin financiar, këto vende kishin pësuar një transformim të rëndësishëm, i dëshmuar edhe prej rritjes së investimeve të institucioneve financiare të fuqishme, kryesisht të vendeve të Eurozonës. [9]

Përhapja e pabarabartë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kjo krizë, me origjinë nga sektori financiar amerikan, u përhap në botë, duke prekur kryesisht Evropën.

Recesioni nuk u ndje në mënyrë të barabartë në të gjithë botën; ndërsa shumica e ekonomive të zhvilluara në botë, veçanërisht në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe Evropë, ranë në një recesion të fortë, të vazhdueshëm, shumë ekonomi më të zhvilluara kohët e fundit pësuan ndikim shumë më pak, veçanërisht Kina, India dhe Polonia, ekonomitë e së cilës u rritën ndjeshëm gjatë kësaj periudhe. Në mënyrë të ngjashme, vendi shumë i zhvilluar i Australisë mbeti i pa ndikuar, duke përjetuar një rritje të pandërprerë që nga fillimi i viteve 1990.

Situata në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas falimentimit të Lehman Brothers, edhe në Shqipëri qytetarët tërhoqën depozitat, për t’i mbajtur ato në shtëpi ose për t’i shpenzuar për produkte jo bazike, duke rritur konsumin. Gjatë kësaj periudhe, depozitat në Shqipëri ranë nga 700 mld lekë në limitet e 600 miliardëve. Atëherë Shqipëria ishte në hapat fillestarë të adaptimit të sistemeve financiare. 84% e depozitave i përkisnin kursimeve deri në 700 mijë lekë dhe pjesa tjetër mbi 700 mijë. Kreditë e këqija arritën nivelin e 8% dhe bankat po raportonin bilance negative.[12]

Banka e Shqipërisë, raporton në fund të vitit 2008 se: ''Aktiviteti ekonomik i vendit gjatë vitit 2008 u zhvillua përgjithësisht në linjë me parashikimet e fillimvitit, si për sa i përket rritjes ekonomike, ashtu dhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike. Megjithatë, në tremujorin e fundit të vitit u shfaq rritja e ndikimit të ngadalësimit të ekonomisë botërore...''.

Treguesit vjetorë të rezultatit financiar të sektorit bankar për vitin 2008 në Shqipëri rezultuan pozitivë, edhe pse nën-parashikimet e fillim-vitit. Kursi i këmbimit të monedhës kombëtare mbeti përgjithësisht i qëndrueshëm gjatë 2008-ës, ndërkohë që Banka e Shqipërisë bëri dhe disa modifikime të rëndësishme rregullative nëpërmjet të cilave lehtësoi situatën e likuiditetit në tregun ndërbankar. [9]

Rezerva Federale mori masa në këtë çështje për të inicuar rimëkëmbjen përballë Recesionit të Madh, veçanërisht me një politikë monetare ekspansioniste agresive. Kështu, ajo uli normën e saj të referencës afër zeros, për të siguruar likuiditet në treg.

FED njëkohësisht aplikoi një masë të paprecedentë, që konsistonte në blerjen e instrumenteve në tregun financiar, veçanërisht, letrave me vlerë të emetuara nga kompanitë e mbështetura nga qeveria amerikane. Me këtë plan u kërkua të zgjerohej baza monetare dhe të shmangej një rënie e mëtejshme e aktivitetit ekonomik.[8]

  1. ^ "World Economic Situation and Prospects 2013" (në anglisht). Development Policy and Analysis Division of the UN secretariat. Marrë më 19 dhjetor 2012.
  2. ^ United Nations (15 janar 2013). World Economic Situation and Prospects 2013 (trade paperback) (në anglisht) (bot. 1st). United Nations. fq. 200. ISBN 978-9211091663. The global economy continues to struggle with post-crisis adjustments
  3. ^ Davis, Bob (22 prill 2009). "What's a Global Recession?" (në anglisht). The Wall Street Journal. Marrë më 17 shtator 2013.
  4. ^ "World Economic Outlook — April 2009: Crisis and Recovery" (PDF). Box 1.1 (page 11-14) (në anglisht). IMF. 24 prill 2009. Marrë më 17 shtator 2013.
  5. ^ Elliott, Larry (2020-04-14). "'Great Lockdown' to rival Great Depression with 3% hit to global economy, says IMF". The Guardian (në anglisht). ISSN 0261-3077. Marrë më 2020-04-14.
  6. ^ a b "2008: Kriza financiare globale". Radio Evropa e Lirë. Arkivuar nga origjinali më 13 dhjetor 2022. Marrë më 2022-12-13.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  7. ^ Park, B.U., Simar, L. & Zelenyuk, V. (2020) "Forecasting of recessions via dynamic probit for time series: replication and extension of Kauppi and Saikkonen (2008)". Empirical Economics 58, 379–392. https://doi.org/10.1007/s00181-019-01708-2
  8. ^ a b c d e "Recesioni i madh i vitit 2008 - Përcaktoni kushtet e biznesit". 2021-10-27. Arkivuar nga origjinali më 13 dhjetor 2022. Marrë më 2022-12-13.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  9. ^ a b c d e f "Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008". www.bankofalbania.org. Arkivuar nga origjinali më 13 dhjetor 2022. Marrë më 2022-12-13.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  10. ^ "Bernanke-Causes of the Recent Financial and Economic Crisis" (në anglisht). Federalreserve.gov. 2010-09-02. Marrë më 2013-05-31.
  11. ^ "Raporti i Stabilitetit Financiar 2009". www.bankofalbania.org. Marrë më 2022-12-13.
  12. ^ Troplini, Gisela (2022-03-06). "Kriza financiare e 2008-s na mësoi edhe diçka për krizën pandemike të 2020-s". Gazeta Si. Arkivuar nga origjinali më 13 dhjetor 2022. Marrë më 2022-12-13.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)

Linqe të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]