Medin Zhega
Medin Zhega (Shkodër, 31 janar 1946 - Tiranë, 12 qershor 2012) ka qenë futbollist dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare e Futbollit.
Biologjia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes, studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Kimi-Mercologji. Kreu studimet e larta edhe në Intitutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve "Vojo Kushi" (sot Akademia e Sporteve).
Në periudhën 1963–1979, luajti futboll me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ishte anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Në vitin 1981 mbaroi shkollën e trajnerëve në Austri. Kreu gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit.
Në vitet 1984-1986 punoi si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar dhe atij olimpik. Në vitet 1992-1996 ishte deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ishte trajner i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Nën drejtimin e Mjeshtrit Zhega, skuadra ynë Kombëtare, në vitin 2001, fitoi turneun "Rothmans" në Maltë.
Fitoi titullin e lartë "Mjeshtër i Merituar i Sportit".
Pasi u shkarkua nga detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, post që e mbajti deri në vitin 2001, ai u emërua anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përsëri, këtë post e mbajti deri në vitin 2010. Në vitin 2009, gjatë transmetimit të spektaklit për nder të 90-të vjetorit të themelimit të klubit shumësportesh "Vllaznia", ai nderohet me titullin "Qytetar Nderi" i qytetit të Shkodrës.
Më 5 maj 2011, gjatë një udhëtimi familjar dhe qëndrimi në Toronto të Kanada-së, ai pësoi një aksident i cili fatkeqsisht e dënoi që të mbeste paraplegjik për 13 muaj e 1 javë. Ai vdiq në Tiranë më 12 qershor 2012, në orë 14:00. Më 14 qershor, nën përkujdesjen e "Federatës Shqiptare të Futbollit" u organizuan homazhe në Pallatin e Kongreseve. Ai u varros në varrezat e "Sharrës" po në të njëjtën ditë.