Grupi Komunist i Shkodrës
Grupi komunist i Shkodrës ose Grupi i Shkodrës ka qenë një organizim parapartiak komunist që u formua dhe veproi nga koha e mes luftërave botërore dhe deri në themelimin e Partisë Komuniste në Shqipëri.
Themelimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Formimi i këtij grupi lidhet me një grup të rinjsh idealistësh ëndërrimtarë, te elemti ortodoks i qytetit dhe te zanatçinjtë e qytetit (sidomos zdrukthtarët). Për shumë vite grupi ishte pika e vetme komuniste në veriun e Shqipërisë. Në vitet 1932-33 ka hyrë literatura komuniste në qytet nga Mbretëria Jugosllave, duke mundur të hynte në Gjimnazin e Shkodrës.
Lazër Radi, që e simpatizoi në rini të vet komunizmin, dëshmoi se idealet e tilla gjetën shtrat te kriza shpirtërore e fillimviteve '30. Të bërit bashkë të të rinjve Qemal Stafa, Xhemal Broja dhe Vasil Llazari në gjimnazin e qytetit më 1934 nga shkollat e klerit që u mbyllën me Reformën "Ivanaj", zgjoi jetën e gjimnazit. Morën kontrollin e shoqërisë "Besa shqiptare" e cila qe formuar më 1931 nën drejtimin e Ernest Koliqit. Ata u morën me organizimin e shfaqeve teatrale amatore si dhe me botimin e revistës "Shkëndija", ku shkruajtën Q. Stafa, Xh. Broja, L. Radi, P. Gjeçi, Elez Braha, etj. Ky botim nuk doli më, numri pasardhës u konfiskua dhe u dogj ngaqë regjimi zogist ra në gjurmë të përpjekjeve të kësaj shoqërie.
Pas një takimi më 1937 me Niko Xoxin, i larguar nga Grupi i Korçës, dhe një shoshitje me Andrea Zisin për çështjen e grupeve, përafërisht fundi i 1937 dhe fillimi i 1938 është koha kur u formua Grupi i Shkodrës.
Nismëtarët ishin Zef Mala, V. Llazari, Q. Stafa, Xh. Broja, Voin Grabova dhe Vaso Kadiq. Stafa pasi u shpërngul në Tiranë, ku kishte si bashkëpunëtor edhe Vasil Shanton, krijoi bërthamën e dytë të grupit. Më 1938 ngre celula në Elbasan mbi bazën e ish-celulave të Grupit të Korçës. Sami Baholli kaloi me të Shkodrës. Në Elbasan qe ndikimi i fortë te Normalja e qytetit. Një numër i madh nxënësish iu bashkuan lëvizjes komuniste në vitet 1938-1941. Nën drejtimin e Myzafer Trebeshinës e më vonë të Dashnor Mamaqit, u organizuan të rinjtë. Gjatë 1938 grupi shkoi në 150 anëtarë[1].
Burime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 147-149. ISBN 978-9828-106-38-4