Jump to content

Gjonmarkajt

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjonmarkajt, Gjomarkajt ose Markagjonët janë tradicionalisht familja e parë e krahinës së Mirditës të njohur si shpia e Kapidanit, që i përket fisit Markolaj të Oroshit, që pati kapidanllëk dhe kajmekamllëk të trashëgueshëm në kohën e Perandorisë Osmane, privilegjet, autoriteti i të cilëve nuk u cënua në vitet e para pas pavarësisë së shtetit shqiptar deri me ardhjen e komunistëve në pushtet më 1944.

Në kohën e Perandorisë Osmane si sundimtarë me të drejta trashëgimie, një i shtëpisë së Kapidanit emërohej nga beu i sanxhakut në të cilin përfshihej Mirdita, më parë nga Begollajt dhe më pas nga Bushatlijtë. Pas rënies së Bushatlijve, emërimi i sundimtarit vazhdonte t'u jipej nga instanca të larta shtetërore.[1]

Të gjitha variantet e përcjellura përshkruajnë që të parët e Gjonmarkajve u zhvendosën nga një zonë e caktuar në Kosovë drejt Mirditës së sotme. Sipas një artikulli të Dom Nikollë Kimzës[2] dhe vetëdijes së familjes, Gjonmarkajt vazhdonin t'i jepnin me pashtrak tokat prej ku u zhvendosën familjeve të katundeve të Hasit dhe bjeshkës së Pashtrikut për kullota e stane verimi.[3] E sipas gojëdhanave, vazhdonin të kishin fis në Has me mbiemrin Maroshi.[4]

Sipas Pashko Vasës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rilindasi Vaso pashë Shkodrani në veprën e tij "E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët" botuar më 1879, shkruan:[5]

Vërtetohet se krerët e fiseve të Shqipërisë së Epërme merrnin së lashti titullin Gegë mbasi na kujtohet që kemi parë me sytë tanë një dokument zyrtar lëshuar nga Kadiu i parë, gjykatësi që ishte emëruar prej qeverisë osmane në rajonin e Dukagjinit në shekullin e pesëmbëdhjetë, menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, e cila u pasua nga pushtimi i plotë i Shqipërisë. Në këtë dokument thuhet se Gegë Lleshi, Gegë Doda, Gegë Tanushi dhe një tjetër Gegë, emrin e të cilit e kemi harruar, largohen nga malet e Poshterikut, në Gjakovë, pa ia shitur a falur ato ndonjë tjetri, për t'u vendosur së shpejti në Mirditë. Ky dokument, që kishte të bënte me të parët e Kapidanit të Mirditës, zotërohej nga i ndjeri Bib Dodë pasha; para se të vdiste, ai na ekishte treguar; e kishim lexuar dhe jemi të sigurt se i biri, Prengë pasha, duhet ta zotërojë akoma.

Sipas një gojëdhëne kosovare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1932 Salih Vuçiterni shkruan tek e përkohshmja françeskane "Hylli i Dritës" rreth një gojëdhëne kosovare që kumton për të parët e katër oxhaqeve të Gegnisë, të gjithë të dalur nga malësitë e Kosovës në kohët e para të pushtimit osman. Përkatësisht i pari i shtëpisë së Gjonmarkajve nga Qafa e Morinës dhe më 1633 iu dha leje nga valiu i Shkodrës të parit të Gjonmarkajve dhe pasuesve të tij që të vendoseshin në Mirditë.[6]

Sipas Dom Nikollë Kimzës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1935 dhe 1937 Dom Nikollë Kimza shkruan dy artikuj tek "Hylli i Dritës", ku në të parin shtjellon natyrën pashtrakut të kullotave lënë nga Gjomarkajt katundeve të Hasit, të cilët e kanë ditur që ato më herët kishin qenë pasuri e Dukagjinëve mesjetarë dhe se trashëgimtarët e tyre ishin Gjomarkajt dhe Mirdita, të cilët ishin dëbuar prej vendit të të parëve.[2] Në artikullin e 1937 Kimza përshkruan prejardhjen e bajrakëve Orosh, Spaç e Kushnen nga fisi Marin (Morinë) dhe përmend një dokument të të quajturit Gegë Kolë Lekë Dukagjini që e kish shkruar dyqind vite pas pushtimit osman të viseve veriore (gjysma e dytë e 1600-s) me të cilin sipas Kimzës provohet vijimësia mes Dukagjinëve dhe Gjomarkajve.[7]

Letërkëmbimi Kruja-Gjomarkaj

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në letërkëmbimin mes studjuesit dhe ish-kryeministrit Mustafa Kruja dhe të birit të Gjon Marka Gjonit, Ndue Gjomarkut, diskutohet edhe çështja për prejardhjen e familjes së kapidanit. Gjomarku citon veprën e Gegajt, artikujt e Kimzës duke radhitur në pemën gjenealogjike idenë se i pari i Gjormakajve vjen nga Pal Dukagjini. Kruja duke pasur njohje mbi baza intime me familjen, argumenton se trembëdhjetë breznitë e pemës së përpiluar nga Pali deri tek Kapidan Gjoni, mbërrijnë një maksimum kohe prej 390 vitesh; dhe se për të mbërritur tek Pal Dukagjini duhen së paku 500 vite. Kruja shton se Gegaj mbështetet vetëm tek gojëdhana familjare e Gjomarkajve dhe se lidhnia mes pashtrakut të kullotave që hasjanët i lanin Gjomarkajve si të vetëdijshëm që Gjomarkajt i kishin trashëguar nga Dukagjinët, është veçse një nxjerrje përfundimesh e guximshme nga Kimza. Kruja shtron pyetjen se ku e paska parë Kimza dokumentin e Gegë Kolë Lekë Dukagjinit që e kish shkruar 200 vjet pas pushtimit osman dhe pse s'e ka shtruar për studime të mëtejshme një material kaq të vyer dhe pse Gjormakajt e gjallë dhe të zëshëm, të vetëdijshëm për këtë vijimësi, nuk quheshin Dukagjini.[3]

Gjonmarkajt në histori

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1769 Mehmet pashë Bushatlliu sulmoi Zadrimën, që varej nga Sanxhaku i Dukagjinit. Me thirrjen e Hysen beut e të Tahir beut, kushërinj të sanxhakbeut Kahreman pashë Begollit, u shkoi në ndihmë Gjon Marku me mirditorë. Më tej, në betejën e zhvilluar në fushën e Peqinit mes forcave të Mustafa pashë Bushatlliut dhe Ahmet Kurt pashë NgurrzësBeratit më 1775, mbeti i vrarë Gjon Marku me 60 mirditorë, që luftuan në anën e Bushatlliut.[8]

Më pas përmenden Preng Lleshi, Preng Marku dhe Lleshi i Zi, bashkëkohës dhe pasues të Mustafa pashë Bushatlliut, përkrah të cilit kishin luftuar kundër kryengritjes greke të fillim 1800-ës.[9] Më 1810 kapidani i Mirditës, Preng Lleshi, si garanci e besnikërisë së tij ndaj Ali pashë TepelenësJaninë la peng të birin, si peng razie.[1] Më 1837 u dërgohet bajraktarëve të Mirditës një bujurulldi nga Divani i Armatës Mbretërore dhe një letër e Ismet Pashës, sundimtar i Dukagjinit, që pohonte privilegjet e Mirditës dhe njihte Bibë Dodën si kapidan të saj. Më 1840 njohja e Bibë Dodës kapidan përtërihet nga valiu i Rumelisë, duke ua bërë të ditur sanxhakëve të Prizrenit, Dukagjinit, Elbasanit e Shkodrës. Kur më 1865 Mirdita bëhet kajmekamllek, kapidanit i paguhej një rrogë mujore prej 600 groshësh.[1]

Më 1877 gjatë një fushate të rreth 300 milicëve dhe po aq bashibozukëve matjanë, në kushtet e acarimeve fetare të lindura nga lufta Ruso-Turke, dogjën edhe sarajet e kapidanëve në Orosh përgjatë plaçkitjes që i bënë Mirditës.[10]

  1. ^ a b c Ulqini, Kahreman (1991). Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror. Tiranë: Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë. fq. 54, 76–77. OCLC 39215998.
  2. ^ a b Kimza, Nikollë (1935). Shka thotë gojdhâna mí vjetersí të Mirdites?. Shkodër: Hylli i Dritës vj. XI, nr. 1. fq. 38–42. Arkivuar nga origjinali më 2 maj 2018. Marrë më 13 mars 2018.
  3. ^ a b Kruja, Mustafa; Gjomarku, Ndue; Nekaj, Zef (2012). Kuvend letrash me miqtë. Tiranë: OMSCA-1. fq. 82, 81–120. ISBN 978-9928-132-09-3.
  4. ^ Harapi, Zef M. (1931). "Mirdita në histori e gojdhanë deri në vjetë 1929". bibliotekashkoder.com. Hylli i Dritës vjeti VII, nr. 1. fq. 41. Arkivuar nga origjinali më 2 maj 2018. Marrë më 19 prill 2018.
  5. ^ Mici, Aristotel (1987). Pashko Vasa, vepra letrare 1. Tiranë: Shtëpia botuese "Naim Frashëri". fq. 111–112.
  6. ^ Vuçiterni, Salih (1934). Nji gojdhanë mí shpin e Zogollit, Gjomarkaj, Derallës dhe Gjinollit. Shkodër: Hylli i Dritës v. X, nr. 9-10. fq. 442–444. Arkivuar nga origjinali më 6 tetor 2018. Marrë më 12 mars 2018.
  7. ^ Kimza, Nikoll (1937). "Hetime mí vjetersín e rrjedhen e Derës Gjomarkaj e të Mirditës". Hylli i Dritës. fq. 345–349. Arkivuar nga origjinali më 8 nëntor 2022. Marrë më 13 mars 2018.
  8. ^ Naçi, Stavri N. (1964). Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatlijve. Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë. fq. 94, 161, 218, 276. OCLC 39215998.
  9. ^ Nikaj, Ndoc (2015). Historija e Shqypnis. Lezhë: Shtëpia botuese "Gjergj Fishta". fq. 130. ISBN 9781166867331.
  10. ^ Bartl, Peter (2011). Albania Sacra. Geistliche Visitationsbericht aus Albanien. 2: Erzdiözese Durazzo. Herausgegeben und bearbeitet (në italisht). Wiesbaden: Harrassowitz Verlag. fq. 559. ISBN 9783447065023.