Gazmend Krasniqi
Gazmend Krasniqi lindi në Shkodër më 1963, ku ka studiuar fillimisht për pikturë, pastaj për letërsi. Aktualisht jeton në Tiranë dhe është i angazhuar si lektor në universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Botimet e tij të shumta përfshijnë botime në poezi, tregime, romane, drama, të përcaktuara si krijimtari postmoderniste nga kritika, si dhe ese, përkthime dhe vepra studimore e teoriko-shkencore. Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë.
Gjatë itinerarit të tij shumëvjeçar, me titujt e shumtë të krijimtarisë, Gazmend Krasniqi është udhëhequr prej parimit të formuluar nga poeti francez Stephane Mallarme: më mirë një libër i vetëm, i organizuar dhe i punuar fort, sesa një përmbledhje frymëzimesh të rastësishme, qofshin këto edhe të mrekullueshme.
Këtë parim e kërkoi në poezi, prozë e shkurtër dhe prozë e gjatë. respektivisht në librat: Antipoezi; Historitë e 1001 ditëve; Trilogjia e Shkodrës.
Me qëndrimet postmoderne jashtë ideologjive, dogmave dhe konvencioneve, gjuha e poezisë së tij zbulon mundësitë për fragmentarizëm, apo për vetafirmim në mes të kaosit, duke kundërshtuar hierarkitë, kategoritë e llojeve dhe tekstet kanonike (veprat letrare të pranuara). Autori propozon forma të hapura e tekste multikulturore, të rimodeluara prej tij, ku dekanunizimi i standardeve kulturore, veprave dhe autoriteteve të mëparshme përcakton mohimin e autoritetit të autorit, zhvlerësimit të qëllimeve dhe synimeve të tij; Kundërshtimi i së pritshmes, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin, përcakton shkatërrimin e burimet e veta me parodi, ironi, pastiche, si dhe fragmentimin e teksteve, duke i kthyer në kolazhe e montazhe. Shmangia e seriozitetit dhe përgjegjësinë, duke nxitur arbitraritetin dhe lojën, argumenton që kuptimi është i papërcaktuar, duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer, përzien zhanret, zhvesh kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë.
Në romanet dhe në tregimet, interesohet më fort për mënyrën se si tregohet një histori, sesa për vetë historinë, sado e çuditshme të jetë ajo. Ai bashkohet me idenë se “forma e përdorur një herë del jashtë përdorimit dhe vlen për aq sa na nxit të kërkojmë një tjetër”. Në vartësi të subjektit që ndërron për çdo roman, ai ndërron edhe stilin, duke kërkuar atë që kjo vepër të mishërohet. Kështu, çdo vepër ndryshon pozitivisht nga pikëpamja e formës letrare. Edukimi i parë si nxënës i një shkolle arti, si dhe puna shumëvjeçare si drejtues i një galerie arti e shënjojnë thellësisht edhe veprën e tij letrare: kjo duket në kolazhet dhe pastiche-t që përzihen me format më tradicionale të të rrëfyerit, ku gjëra, shpesh të pangjashme, ngjiten për të krijuar një realitet të ri, i cili mund të jetë shumë gjëra të tjera. Kjo përforcohet nga krijimi i fundit të hapur dhe situatat e pa ngulitura. Nga stereotipet e prozës, klishetë gjuhësore dhe rregullat kanonike të shkrimit, ai përdor ato që mund të marrë në mbrojtje në një epokë ku janë vënë në dyshim fuqitë e letërsisë. Kritika është shprehur se ky zhanër i pazhanër që na sugjerohet është një krijim së jashtmi, një ushtrim i pafundëm stili, një përpjekje aspak e shpeshtë në letërsinë shqipe, mes esesë, refleksionit e fiksionit, e mbushur përplot me sugjerime intelektuale. Metaligjërimi dhe ndërtekstualiteti janë nga elementët mbizotërues të ligjërimit të tij. Tekstet e tij vlerësohen nga kritika se një rast i shkëlqyer shpërblese e përmbushjeje estetike mbi kënaqësinë e të lexuarit apo shkrimtarinë e pamundur. Një rast i posaçëm letrar në zejen e shkrimtarisë shqipe.
Gjithashtu, ai është autor i disa dramave, me të cilat ka qenë pjesëmarrës dhe është vlerësuar me çmime në disa konkurse kombëtare dhe mbarëkombëtare.
Romane
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Bar "Parajsa" - 2008
- Asgjëtë e vogla të Zotit - 2009
- Shitësit e Apokalipsit - 2012
Përkthime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Poezi anglo-saksone e shek. XX, antologji, Tiranë 2004;
- Donald Barthelme, Unë dhe zonjushë Mandible, tregime, 2004;
- Henry Miller, Deizi Miler, roman, 2007.[1]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Zenepe Dibra (2019). "Kontributi i disa autorëve shkodranë në përkthimet në gjuhën shqipe" (PDF). Gegnia (8): 203–209. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 3 shkurt 2022. Marrë më 31 janar 2021.