Jump to content

Dervish Hekali

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dervish Hekali lindi më 12 prill 1912, në fshatin Hekal të Mallakastrës.

Fëmijërine e kaloi në gjirin e asaj natyre magjepëse që impononin muret e Bylisit të lashtë, brigjeve të Vjosës së furishme, ndër këngët dhe legjendat për Rrapo e Hamit Hekalin, në buzë të varfërisë dhe bujarisë së nëntokës Mallakastër. Me kuriozitetin e fëmijës, me kurajon dhe vullnetin e një të rrituri, ndonëse i mbetur jetim, Dervishi mundi të vazhdonte e të përfundonte shkollën e fshatit dhe të Ballshit, aq modeste, por aq të vlefshme për kohën. Pas kësaj, mbi supet e tij të brishtë, ra barra e rëndë e punës për të mbajtur familjen për të siguruar me nder bukën e gojës. Për disa vite me rradhë, ai punoi në minierën e Selenicës.

Në 7 prill 1939, në ballë të patriotëve, ai zbret në Ballsh, kërkon armë për ta pritur pushtuesin fashist. Në vitet 1940­ - 1941, Dervishi punon në Durrës. Aty vihet në lidhje me luftëtarët antifashist, me patriotë dhe gjendet në krye të demonstratës së madhe të 28 nëntorit, shquhet për guximin e trimërinë, pjekurinë e iniciativë në kryerjen e detyrave që i ngarkoheshin.Veprimtaria e tij bie në sy të agjenturës dhe arrestohet. Dervishi del nga burgu dhe kthehet në Mallakastër.

Më 4 shkurt 1943, u formua “Ceta Plakë” e Mallakastrës. Dervishi emërohet zëvëndës komandant i çetës. Nisen luftimet, përpjekjet, aksionet. Dervishi gjendet në ballë të tyre në Patos, Selenicë, në Ruzhdie për të ardhur në ditët e mëdha të operacionit fashist në Mallakastër qershor ­korrik 1943 krah për krah me shumë udhëheqës si Bilbil Klosi me shokë. Dervish Hekali udhëheq jo vetëm forcat partizane, por organizon dhe formon Këshillat Nacionalçlirimtare në çdo fshat, çetat territoriale, frymëzon qëndresën popullore, demaskon manovrat e tradhëtarëve, bëhet një legjendë që del përtej kufijve të Mallakastrës.

Në 5 gusht 1943, u krijua batalioni “Ismail Klosi”, komandant i tij u zgjodh Dervish Hekali. Më 8 tetor 1943, u krijua Grupi i tretë i Mallakastrës, emërohet zëvendës komandant i këtij formacioni të madh partizan. Me krijimin e Brigadës V Sulmuese, më 20 janar 1944, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Naciuonal Clirimtare, duke njohur e vlerësuar meritat e Dervish Hekalit e emëroi atë zëvëndës Komandant Brigade. Që nga kjo ditë në luftime të pandërprerë kundër nazistëve e tradhëtarëve në gjithë bregdetin tonë jugor, nga Himara në Kudhes e Kuç, në malet e Cikës dhe Vetëtimave. Dervishi meriton nderin të quhet “Biri i Kurveleshit”.

Dhe atje, në atë male, në zemër të Labërisë në Kuçin e Gjolekë Mandileziut, atje e fali gjakun. Dhe ja se si: 12 prill 1944, një forcë gjermano­balliste prej 500 vetësh, kishte hyrë në Kuç dhe po i vinte zjarrin fshatit. Partizanët, me Dervishin në krye, i rrethuan forcat armike dhe u hodhën në sulm mbi pozicionet e tyre. Për orë të tëra, lufta vazhdoi shtëpi më shtëpi, shkëmb pas shkëmbi derisa qëndresa e armikut u neutralizua plotësisht. Më se 40 gjermanë kishin mbetur të vrarë, shumë të tjera mbeten të plagosur e robër, të tjerë ua mbathën këmbëve.

Dervishi, që kishte luftuar si luan në krye të trimave të tij, informohet se partizani Asllan Gjika ishte plagosur rëndë. U ngrit nga pozicioni për t’ju ndodhur pranë shokut, për ta hedhur në krah e për t’i thënë atofjalë që vetëm Dervish Hekali dinte t’i thoshte. Pikërisht në këtë moment ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte.

Një oficer gjerman qëlloi mbi të nga dritarja e një shtëpie, ku ishte strukur. Kjo ishte dhe pushka e fundit që u zbraz në muzgun e asaj beteje dhe ajo kushtoi shumë shtrenjtë. Ai plumb i mallkuar e kishte marrë Dervishin atje ku goditen trimat, në gjoks, në zemër.

Atë ditë, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë Nacional Clirimtare, kishte nxjerrë urdhërin “Dervish Hekali” emërohet Komandant i Brigadës së VIII Sulmuese.

Populli këndoi një këngë: Ditë prilli, dymbëdhjetë Dervish, o lule...