Jump to content

Deklarata e Kairos për të drejtat e njeriut në islam

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut në islam është një deklaratë e ratifikuar (lëshuar) në vitin 1990 nga shtetet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, e cila e përcakton shari'an si bazë të vetme për „të drejtat e njeriut“. Kjo deklaratë shihet nga apologjetët islamikë si e kundërta e Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, nga e cila ajo devijon në mënyrë të konsiderueshme. Këshilli i ligës së shteteve arabe ka ratifikuar më vete në shtator 1994 një Kartë Arabe të të Drejtave të Njeriut [1] dhe në janar 2004 një version të përpunuar të saj.

Kryesisht vende islamike si Sudani, Pakistani, Irani dhe Arabia Saudite kritikojnë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut për shkak të, sipas mendimit të tyre, mungesës së përfshirjes së referimit kulturor dhe fetar të vendeve jo-perëndimore. Më 1981 përfaqësuesi iranian në Kombet e Bashkuara, Said Rajaie-Khorassani, përmblodhi me pak fjalë pozicionin iranian në lidhje me Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, duke thënë se ajo është „një interpretim shekullar (laik, jofetar) i traditës judeo-kristiane, e cila nuk mund të respektohet nga myslimanët pa shkelur të drejtën islamike (sharian)“.[2]

Deklarata e Kajros u miratua më 5 gusht 1990 nga 45 ministrat e jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike të përbërë nga 57 shtete anëtare. Ajo pretendohet se duhet të shërbejë si parim në lidhje me të drejtat e njeriut, megjithatë pa pasur karakter të detyrueshëm për të drejtën ndërkombëtare dhe edhe në të drejtën e shteteve nacionale anëtare të OKI-së, është pa shumë peshë.

Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut orientohet shumë në formë dhe përmbajtje nga Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të NjeriutKombeve të bashkuara, por duke bërë qartë në nenet e veçanta kufizime në lidhje me sharian. Për shembull neni 2 thotë [3]:

a) Jeta është dhuratë nga zoti dhe e drejta e jetës i garantohet çdo njeriu. Është detyra e çdo individi, e shoqërive dhe e shteteve që të mbrojnë këtë të drejtë nga shkelja e saj. Gjithashtu është e ndaluar t'i merret jeta dikujt, me përjashtim të rastit kur këtë e kërkon sharia.

b) Është e ndaluar të përdoren lëndë që çojnë në asgjesimin e njerëzimit.

c) Përderisa zoti ia jep jetën njeriut, ajo duhet mbrojtur sipas sharias.

d) Garantohet e drejta e moscënimit fizik. Çdo shtet është i detyruar të mbrojë këtë të drejtë dhe gjithashtu ndalohet shkelja e saj, me përjashtim të rastit kur ekziston një shkak i përcaktuar nga sharia.

Neni 5 i deklaratës së Kajros për të drejtat e njeriut merret me jetën bashkëshortore, me të drejtën për martesë për gratë dhe burrat dhe me detyrimin e shtetit për mbrojtjen e jetës bashkëshortore. Ndryshe nga për shembull neni 1, në të cilin garantohet dinjiteti i njeriut pavarësisht nga "raca, ngjyra, gjuha, gjinia, feja, pikëpamjet politike, statusi shoqëror ose arsye të tjera", vlen e drejta për martesë në nenin 5 vetëm pavarësisht nga "kufizimet për shkak të racës, ngjyrës ose kombësisë".

Neni 7 përcakton të drejtat mes fëmijëve dhe prindërve të tyre. Prindërit kanë të drejtë të zgjedhin formën e edukimit të fëmijëve të tyre vetëm deri në atë masë, ku kjo "përputhet me vlerat dhe parimet e sharias".

Neni 11 përcakton një ndalim absolut të çdo forme të kolonializmit.

Neni 12 përcakton të drejtën për lirishmëri dhe për azil (strehim) por në të dy rastet me referimin e qartë tek kufizimet e sharias.

Neni 19 garanton për të gjithë njerëzit barazi para ligjit dhe sigurinë e ligjit. Sharia përcaktohet si baza e vetme e gjykimeve mbi krimet dhe ndëshkimet.

Neni 22 garanton të drejtën për lirinë e fjalës, përderisa kjo nuk shkel parimet e sharias. Paragrafi b) i jep çdo njeriu, në përputhje me normat e sharias, të drejtën për vetëgjyqësi. Paragrafi c) ndalon që të përdoret e drejta për lirinë e fjalës "për të shkelur shenjtërinë dhe dinjitetin e profetëve, për të minuar vlerat morale dhe etike dhe për të përçarë shoqërinë, për ta shthurur atë, për t'i shkaktuar asaj dëm ose për të dobësuar besimin e saj".

Nenet 24 dhe 25 ia nënshtrojnë të gjitha të drejtat dhe liritë të përcaktuara në deklaratën e Kajros të të drejtave të njeriut edhe një herë shprehimisht sharias islamike duke e cilësuar atë si "burimi i vetëm kompetent për interpretimin ose shpjegimin e secilit nen të kësaj deklarate"

Krahasimi me Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut devijon në shumë pikëpamje nga Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut, veçanërisht pasi ajo njeh në mënyrë të qartë vetëm ato të drejta të cilat përputhen me sharian.[4] Neni 24 përcakton: „Të gjitha të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë deklaratë janë të nënrenduara shari’as islame.“[5] Neni 19 thotë: „Nuk ekzistojnë krime dhe ndëshkime përveç atyre të caktuara nga shari’a“.[6] Roli i këtij kodi ligjor islamik si burim i vetëm për përcaktimin e të drejtës vërtetohet përmes nenit 25, i cili thotë: „Shari'a islame është burimi i vetëm i referimit për shpjegimin ose sqarimin e të gjithë neneve të kësaj deklarate“.[7] Deklarata e Kajros nënvizon origjinën e saj në fenë islame si „fenë e vërtetë“[8] dhe në mënyrën e jetesës së shoqërisë islamike (umma-s), e cila përshkruhet si më e mira e të gjitha shoqërive njerëzore dhe të cilës i caktohet një rol civilizues dhe historik [9].

Në gati çdo referim tek të drejtat e njeriut, Deklarata e Kajros bën kufizimin që këto të drejta duhet të ushtrohen në përputhje me shari’an. Neni 22 për shembull e kufizon lirinë e fjalës deri në ato shprehje mendimi, të cilat nuk bien në kundërshtim me të drejtën islamike.[10] Edhe e drejta e ushtrimit të detyrave publike mund të gëzohet vetëm në përputhje me shari'an.[11]

Deklarata e Kajros ndodhet në kundërshtim me sensin (kuptimin) ndërkombëtar të të drejtave të njeriut pasi ajo nuk e njeh pakundërshtueshmërinë e lirisë së fesë.[12] Neni 5 ndalon çdo kufizim të të drejtës për martesë që ka lidhje me „racën“, „ngjyrën“ ose „kombësinë“, por veç pa përmendur fenë, kështu që burrat dhe gratë mund t'u nënshtrohen kufizimeve për martesë për shkak të përkatësisë fetare.

Kjo deklaratë nuk e mbështet barazinë e burrit dhe gruas por përkundrazi, ajo konstaton epërsinë e burrit. Neni 6 u garanton grave të njëjtin dinjitet por jo pozitë të barabartë në çështje të tjera. Nga ana tjetër, ky nen i ngarkon burrit përgjegjësinë për mbajtjen e familjes, ndërsa gruas nuk i caktohet një rol përkatës i tillë.

Deklarata të tjera

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Karta Arabe e të Drejtave të Njeriut u lëshua më 1994 nga këshilli i Lidhjes Arabe. Për mungesë ratifikimesh të mjaftueshme, ajo nuk ka hyrë në fuqi duke mos u njohur kështu si instrument i të drejtës ndërkombëtare.[13] Një version i përpunuar i Kartës Arabe të të Drejtave të Njeriut të vitit 1994 u lëshua më 2004 nga Lidhja Arabe.[14] Konsultimet për projektin e saj u mbështetën nga ana e Komisariatit të Lartë të UNO-s (OKB-së) për të Drejtat e Njeriut (UNHCHR).

Adama Dieng, një anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve, e kritikon deklaratën e Kajros, pasi

  1. ajo rrezikon seriozisht konsensin (mirëkuptimin) ndërkulturor që është baza e të drejtave ndërkombëtare të njeriut
  2. ajo çon, në emër gjoja të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në diskriminimin e papranueshëm të jomyslimanëve dhe të gruas
  3. ajo paraqet, në lidhje me të drejta dhe liri të caktuara themelore, një karakter kufizues specifik, kështu që rregulla të caktuara thelbësore të saj janë edhe nën nivelin e standardit të disa vendeve islamike
  4. ajo thekson, nën mbrojtjen e shari’as islame, ligjshmërinë e praktikave, për shembull të ndëshkimeve fizike, të cilat cenojnë integritetin dhe dinjitetin e çdo qenie njerëzore.[15]

Në nenet 24 dhe 25 të kësaj deklarate, sociologia Necla Kelek sheh konstatimet më të rëndësishme: „Të gjithë të drejtat dhe liritë që përmenden në këtë deklaratë, i nënshtrohen sharias islame … sharia islame është burimi i vetëm kompetent për interpretimin dhe sqarimin e çdo neni të veçantë të kësaj deklarate.“ Ajo përmend edhe hyrjen: „Anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike theksojnë rolin kulturor të umma-s (komunitetit fetar) islame, e cila është krijuar nga zoti si kombi më i përkryer dhe që i ka sjellë njerëzimit një qytetërim universal dhe të ekuilibruar (të harmonishëm).“

Ndryshe nga kushtetutat demokratike, thotë ajo, në të nuk bëhet fjalë për individin, por për bashkësinë e besimtarëve si kolektiv. Përveç kësaj, deklarata njeh vetëm të drejtat e përcaktuara në kuran duke i parë, sipas sharias, vetëm ato vepra si krime, për të cilat në të njëjtën formë gjykon edhe kurani ose sunneti (sunna): „Nuk ka krime ose ndëshkime përveç atyre të përcaktuara nga sharia“ (neni 19). Barazia nuk parashikohet në këtë deklaratë, përkundrazi ajo legjitimon (përligj) kontrollin shoqëror dhe denoncimin (kallëzimin, spiunimin), siç e bën të qartë neni 22: „Çdo njeri ka të drejtë që, në përputhje me normat e sharias, të ndërhyjë për të drejtën, të luftojë për të mirën dhe të paralajmërojë për padrejtësinë dhe të keqen.“ Kjo është një përligje indirekte (e tërthortë) e vetëgjyqësisë.[16]

Deklarata e Kajros e vendos çdo nen të saj, edhe atë për lirinë e fesë, tekstualisht nën kushtet dhe kufizimet e sharias duke theksuar në hyrje të saj rolin kryesues (përparësinë) e bashkësisë islamike në zgjidhjen e „problemeve të vazhdueshme“ të „qytetërimit materialist“.[17][18] Hans Zirker konstaton se në deklaratën e Kajros nuk gjendet asgjë në lidhje me „të drejtën individuale për vetëvendosje në çështjet e fesë, besimit ose pikëpamjeve“. Kjo, thotë ai, është e huaj për traditën kulturore islame.[19]

  • Fischer, Mattias G./Diab, Amal, Islam und Menschenrechte (Feja islame dhe të drejtat e njeriut), në: Neue Juristische Wochenschrift (NJW) 41/2007, f. 2972 ff. (gjermanisht)
  • Kazemi, Farouh, Perspectives on Islam and Civil Society (Perspektiva për fenë islame dhe shoqërinë civile) në: Islamic Political Ethics: Civil Society, Pluralism and Conflict (Etika politike islamike: shoqëria civile, pluralizmi dhe konfliktet), Sohail H. Hashmi, ed. Princeton University Press, 2002. ISBN 0-691-11310-6 (anglisht)
  • Littman, David, Universal Human Rights and 'Human Rights in Islam' (Të drejtat universale të njeriut dhe 'të drejtat e njeriut në islam'). Midstream, February/March 1999 (anglisht)
  • Mathewson Denny, Frederick, Muslim Ethical Trajectories in the Contemporary World (Linja e zhvillimit të etikës islamike në botën e sotme), në: Religious Ethics (Etika fetare), William Schweiker, ed. Blackwell Publishers, 2004. ISBN 0-631-21634-0 (anglisht)
  • Smith, Rhona, Textbook on International Human Rights (Manuali i të drejtave ndërkombëtare të njeriut), Oxford University Press 2003. ISBN 1-84174-301-1 (anglisht)
  • Fritzsche, K. Peter, Menschenrechte (Të drejtat e njeriut), Schöningh, 2004. - ISBN 3-8252-2437-6 (gjermanisht)
  • Zirker, Hans, Die Kairoer Erklärung der Menschenrechte im Islam. (Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut në islam) Duisburg-Essen Publications online (DuEPublico)[lidhje e vdekur](gjermanisht)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Arabische Charta der Menschenrechte, verabschiedet vom Rat der Liga der arabischen Staaten am 15. September 1994 (Karta Arabe e të Drejtave të Njeriut, e ratifikuar më 15 shtator 1994)
  2. ^ „A secular understanding of the Judeo-Christian tradition, which could not be implemented by Muslims without trespassing the Islamic law“; cituar sipas Littman (1999)
  3. ^ http://www.soziales.fh-dortmund.de/Berger/Forschung/islam/Kairoer Erklärung der OIC.pdf[lidhje e vdekur]
  4. ^ Mathewson Denny (2004), f. 272
  5. ^ „All the rights and freedoms stipulated in this Declaration are subject to the Islamic Shari’ah“.
  6. ^ „There shall be no crime or punishment except as provided for in the Schari’a.“
  7. ^ „The Islamic Shari’a is the only source of reference for the explanation or clarification of any of the articles of this Declaration.“
  8. ^ „true religion“
  9. ^ „civilizing and historical role“
  10. ^ „Everyone shall have the right to express his opinion freely in such manner as would not be contrary to the principles of the Schari’a.“
  11. ^ Smith (2003), f. 195
  12. ^ Kazemi (2002), f. 50
  13. ^ "Arabische Charta der Menschenrechte - humanrights.ch". Arkivuar nga origjinali më 11 janar 2012. Marrë më 25 nëntor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. ^ Text der arabischen Menschenrechtscharta von 2004 Arkivuar 11 janar 2012 tek Wayback Machine (Teksti i kartës arabe të të drejtave të njeriut (pdf, 20 faqe.)) (frëngjisht)
  15. ^ Littman (1999)
  16. ^ Necla Kelek: Integration der Muslime – Bist du nicht von uns, dann bist du des Teufels. Das kollektivistische Gesellschaftsmodell des Islam steht der Integration entgegen; (Integrimi i myslimanëve: Në qoftë se nuk je një nga ne, atëherë je i djallit. Modeli shoqëror kolektivist i fesë islame është pengesë për integrimin). Gazeta gjermane FAZ (Frankfurter Allgemeine Zeitung) e 25 prillit 2007
  17. ^ Die Kairoer Erklärung der Menschenrechte im Islam Arkivuar 27 shtator 2007 tek Wayback Machine (Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut në islam) (gjermanisht)
  18. ^ Die Kairoer Erklärung der Menschenrechte im Islam Arkivuar 27 shtator 2007 tek Wayback Machine (Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut në islam); Versioni i përpunuar i një referati mbajtur në kuadër të një konference të Akademisë Islamike Këln-Islah (Islamische Akademie Köln Islah), botuar në: Moslemische Revue 21 (76), 2000, f. 54–66
  19. ^ Hans Zirker: Die „Kairoer Erklärung der Menschenrechte im Islam“ (Deklarata e Kajros për të drejtat e njeriut në islam); Online-Fassung des Vortrags Arkivuar 27 shtator 2007 tek Wayback Machine, (Version online i këtij referati) f. 9