Jump to content

Boetius

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Dialectica, 1547

Anicius Manlius Torquatus Boethius ose Boetius lindi në Romë rreth vitit 455 ku familja e tij që ngaherë pat ushtruar detyra të larta shtetërore. Në moshën dhjetë vjeçare u dërgua në Athinë për të mësuar greqishten dhe shkencat tjera të kohës. Qëndroi këtu plot tetëmbëdhjetë vjet dhe gjatë kësaj kohe përktheu veprat e dijetarëve më eminentë si Ptolemeun, Nikomakun, Arkimedin, Euklidin, Platonin e Aristotelin. U kthye në Romë në moshën tredhjetë e dy vjeçare ku u emërua konsull i vetëm gjatë vitit 485. Po në këtë vit, martohet me vajzën e Simakut që ishte prefekt i Romës, konsull dhe « princ i senatit ». Në vitin 500, me ardhjen e lavdishme në pushtet të mbretit të Ostrogotëve Teodorikut, Boetiusi emërohet senator kurse më 510, Misnistër i Teodorikut. Më 522 është udhëheqës i ofiqeve. Megjithatë, përfundon i ekzekutuar me urdhër të Teodorikut dikund brenda viteve 524-526.

Vepra e Boetiusit është me një rëndësi të veçantë në përcjelljen e pasurive të lashta filozofike në kohët e mesjetës dhe atyre të mëvonshme. Përkthimet e tij, ishin udhëzim për mesjetën. Ai krijoi definime të mirëfillta filozofike në gjuhën latine por edhe definicione me perkufizime të sakta mbi kutimet për teologjinë mesjetare si « natyra », qenia » dhe shum të tjera. Vepra e tij Consolatio Philosophiae është pjesë e thesarit të letërsisë botërore dhe njëherit një ndër më të lexuarat gjatë Mesjetës dhe Rilindjes. Këtu gjejmë pasurinë e parimeve më të rëndësishme të të persiatjes dhe urtësisë antike. « Ngushëllimi nga filozofia », Boetiusi e shkroi në burg dhe si që kuptohet nga vet titulli, ai kërkonte lumturi e filozofia e mësonte të gjejë ngushëllimin.

Ndër meritat e mëdha të Boetiusit, si që u përmend kalimthi më lartë, janë pra disa definicione të tij. Këtu do të përmend më të famshmet :

  • të prehjes apo të lumturisë së plotë : « Status bonorum omnium congregatione perfectus » ;
  • të personit (individit) : «Rationalis naturæ individua substantia» dhe
  • përjetësisë (amshueshmërisë) : «Interminabilis vitae tota simul et perfecta possessio».

Jetëshkrim dhe filozofi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një nga figurat më të shquara në Mesjetën e hershme ishte Anicius Manlius Severinus Boecis (rreth. 480-524) i Romës dhe i Pavies së Italisë. Ai u rrit në mbretërinë e Teodorikut si një i krishterë. Që në moshë të herët , ai u dërgua në Athinë, ku mësoi gjuhën greke dhe aristotelizmin,neoplatonizmin dhe stoicizmin. Më vonë, në vitin 510, ai u caktua në postin e konsullit të oborrit mbretëror të Teodorikut, ku u rrethua me nderime. Në kundërshtim me famën e tij të madhe dhe statusin e shquar politik, ai u akuzua për tradhëti të lartë, ju hoqën nderimet, u burgos për një kohë të gjatë dhe në vitin 524 u ekzekutua. Gjatë burgimit të tij në Pavia, ai shkroi veprën e tij të famshme Konsolidimi i Filozofisë, një libër ky që qarkulloi gjerësisht gjatë mesjetës dhe kishte një ndikim kaq, të madhe sa Chaucer e përktheu atë dhe modeloi disa nga Përrallat e Konterberit, sipas përmbajtjes së librit të Boecit. Në faqet e para të librit të tij, Boeci jep një përshkrim alegorik të filozofisë, i cili akoma mund të shihet i gdhëndur në fasadat e shumë katedraleve në Evropë. Ajo, që e shtynte atë ta shikonte filozofinë me këto terma alegorike ishtë përpjekja për të kapërcyer melankolinë e tij, duke shkruar poezi në kohën kur ishte i brengosur në burg. Në këtë pikë, ai u mahnit nga një vizion i ri i filozofisë, të cilin ai e dha me një forcë imagjinative të konsiderueshme. Filozofia erdhi tek ai si një grua e re me sy aq të mprehtë, sikur të sygjeronte se filozofia ka fuqi më të lartë, se sa natyra njerëzore. Ajo jepte përshtypjen, se nuk kishte një moshë të caktuar, duke treguar se filozofia është e pashtershme. Në mantelin e saj dukej shkronja greke 0, duke simbolizuar filozofinë praktike dhe theta (Φ), që simbolizonte filozofinë teorike dhe një shkallë midis tyre, që tregonte ngjitjen në shkallët e urtësisë. Boeci u ngushëllua nga filozofia, kur ai zbuloi tek ajo, se asnjë e mirë dhe kënaqësi tokësore nuk mundi t'i jepte atij lumturinë e vërtetë, se njeriu duhet të drejtohet tek e Mira Supreme, ku të udhëheqë filozofia. Përveç këtij interpretimi alegorik, Boeci dha një përcoktim më teknik të filozofisë, duke e quajtuar atë dashuri për urtësi. Fjala urtësi mbart gjithë ngarkesën e përcaktimit të tij. Për të, urtësi do të thotë një realitet, diçka që ekziston në vetvete. Urtësia është mendimi jetësor, që krijon të gjitha sendet. Duke dashuruar urtësinë, njeriu dashuron mendimin dhe shkakun e të gjitha gjërave. Më në fund, dashuria për urtësi është dashuria për Zotin.

Boeci, u bë kanali më i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit mendimi grek dhe, veçanërisht, disa nga veprat e Aristotelit u transferuan, gjatë Mesjetës së hershme, në perëndim. Duke qenë një njohës i shkëlqyer i gjuhës greke, ai në fillim kishte si qëllim të përkthente veprat e Platonit dhe Aristotelit në latinisht dhe të tregonte se si dallimet në dukje të tyre mund të harmonizoheshin. Megjithëse ai nuk e realizoi këtë projekt ambicioz, ai prapë se prapë la një trashëgim të konsiderueshëm të shkrimeve filozofike, ku përfshiheshin përkthime të disa veprave të Aristotelit, komente mbi këto vepra dhe disa traktate origjinale. Më tej ai është autor i veprave teologjike të një rëndësie të veçantë, si edhe i traktateve që kanë të bëjnë me katër artet e lira: arithmetika,gjeometria,astronomia dhe muzika, të cilave ai ju dha emrin quadrivium, për t'i dalluar ato nga tre artet e tjera të lira, trivium, ku përfshiheshin gramatika,logjika dhe retorika.

Boeci përktheu traktatet logjike të Arisotelit, ku përfshiheshin Prior, Posterior Analytics,Topics dhe Categories.Komentet e tij gjenden tek vepra Isagoge e Porfirit, tek vepra Categories Topics e Aristotelt dhe në veprën De Interpretation. Gjithashu ai shkroi një koment mbi veprën "Topics" të Ciceronit. Traktatet e tij origjinale kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme të logjikës. Ai, gjithashtu, shkroi mbi matematikën dhe muzikën dhe veprën e tij të lartëpërmendur "Konsolidimi i Filozofisë", e cila është një dialog midis tij dhe një personifikimi të filozofisë, që është në nivelin e Zotit, fatit, lirisë dhe së keqes.

Në traktatet e tij të para, Boeci përshkruan mjaft autor të ndryshëm, duke na treguar se ai ishte i familjarizuar me Platonin,Aristotelin,stoikët,Plotinin,Augustinin dhe të tjerë, megjithëse ai shte nën influencën e Aristotelit.Veprat e tij aritën statusin e veprave të klasikëve dhe u përdorën më vonë nga filozofët e shquar, duke përfshirë shën Thoma Akuinin, si udhërrëfyes me autoritet për interpretimin e autorëve të lashtë dhe të problemeve bazë filozofikë.

Në mënyrë të veçantë, Boeci u bë një interpret i madh i mendimit të Aristotelit, duke shfaqur me këtë, aftësite e tija të mëdha filozofike.Në traktatet e para, Boeci, me kujdes të madh përpunoi disa çështje të tilla të rëndësishme si: prova për ekzistencën e Zotit, problemi i të përgjithshmëve dhe natyra e qenies, të cilat më vonë do të bëhen qendra të filozofisë të Akuinit.

Megjithëse shkroi disa vepra teologjike të veqanta, ai u përpoq të dallonte midis besimit dhe arsyes dhe në veprën e tij "Konsolidimi i Filozofisë",ai nuk përmend krishtërimin, por më tepër formulon një teologji natyrore, të bazuar në atë që, vetë arsyeja njerëzore mund ta provojë. Në të njejtën kohë, ai u muar me problemin e njohjes, duke pranuar doktrinën e Platonit; të rikujtimit, e cila thoshte se të mësuarit ka të bëjë me rikujtimin e shpirtit të atyre që ai i ka parë, por i ka harruar.

Boeci, gjithashtu, u largua nga teoria e Aristotelit; e të përgjithshmëve, duke thënë se ne nuk i abstragojmë të pëtgjithshmet nga sendet e veçanta, se mendja është e aftë t'i mendoë të përgjithshmet "të shkëputura nga trupat". Në të njejtën kohë, Boeci i dha provat se ishte një student i shën Augustinit, duke u marrë me disa nga pikëpamjet e tij në lidhje me të keqen, me shkaqet e shqetësimit njerëzor, me marrëdhënjet midis lirisë dhe providencës së Zotit dhe me njohjen tonë intuitive të Zotit.

Kureshi nga jeta e filozofit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Boeci ishte patric dhe senator, burrë shteti i mbretit Teodorik të Gotes Lindore. I akuzuar për pjesëmarrje në komplot që u kurdis për shkak të përmbysjes së sundimit gotik në Itali, u burgos dhe u dënua me vdekje pa gjykim.
  • Është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të neoplatonizmit, dhe shkroi veprën e njohur Ngushëllimi i filozofisë, në kohën kur në burg priste dënimin. Boeci konsideronte se filozofia gjithmonë e ka drejtuar kah e mira, por njëkohësisht pohonte se ishte bërë viktimë e filozofisë, ngase jetonte në kohën kur për të nuk kishte mirëkuptim. Por megjithatë, filozofia të ofron ngushëllim me vetë faktin se tregon ku gjendet lumturia: «... sa e mjerueshme është lumturia që bazohet në gjërat e vdekshme. Ajo as te indiferentët nuk vazhdon pa ndërprerje, kurse të pikëlluarit megjithatë nuk i gëzon plotësisht. Përse atëherë, njerëz të vdekshëm kërkoni lumturi të jashtme që gjendet në ju?» (De consolatione philosophiae)
  • Boeci ishte eklektik në çështjet themelore filozofike,përpiqet të pajtojë filozofinë e Platonit dhe të Aristotelit, kurse në filozofinë e tij, sidomos në etikë («të jetosh në harmoni me natyrën») janë të dukshme ndikimet e stoikëve. Shkroi një varg librash nga logjika dhe kontribuoi për zhvillimin e terminologjisë filozofike. Duke hedhur poshtë dogmatikën e krishterë, Boeci e kundërshtoi filozofinë e cila «sjell dritë» dhe në këtë drejtim është një nga përfaqësuesit e fundit të kulturës së lirë antike në shoqërinë romake. Kisha katolike, pavarësisht nga injorimi i krishterimit dhe i lavdërimit të antikës, e shpalli martir të krishterë.
  • Ajo, që Boeci i dha Mesjetës së hershme në formën e përkthimeve, komenteve dhe traktateve origjinale, e bënë atë të krahasuehëm me Aristotelin dhe Augustinin. Rëndësia e tij kryesore qëndron në mësimet e tij gjatë kësaj periudhe; të bazave të mendimit aristotelian dhe në formulimin e përcaktimeve dhe temave bazë filozofike, që do të bëheshin më vonë, çelsat e aktivitetit intelektual në perëndim.