Jump to content

Asaf Ajdonati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Foto e Hasaf Ajdonatit

Asaf Meleq Emini i njohur si Hasaf Ajdonati (Ajdonati, 1888 - Stamboll, 27 maj 1965) ka qenë mjek kirurg, veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe mbrojtës i të drejtave të çamëve në shtetin grek.

Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në idadijenë eprore të Janinës dhe të lartat për mjekësiStamboll. Anëtar i shoqërisë së studentëve shqiptarë dhe bashkëpunëtor i fletores Arnauti që botonte Dervish Hima dhe ndihmëmbledhës për shkollën kombëtare që do të çelej në Filat për të gjithë Çamërinë dhe më tej. Në vitin 1911 u dërgua mjek ushtarak në Gumenicë. Gjatë Luftës Ballkanike 1912 - 1913 luftoi në mbrojtjen e Paramithisë nga forcat pushtuese greke. Para hyrjed së ushtrisë greke në Çamëri u tërhoq bashkë me disa bashkë-luftëtarë të tjerë drejtë Vlorës, më pas trasferohet në Stamboll ku ngriti dhe kryesoi shoqërinë "Mbrojta e Atdheut".

Në vitin 1918 largohet nga Stambolli dhe kthehet në atdhe duke u vendosur në Konispol, ku ngriti të parin spital dhe të parën farmaci. Me nxitjen e Hasafit në Konispol u ngrit shoqëria "Vllazëria Çame", të cilën e drejtoi për 8 vjet rresht. Në vitin 1919 shkoi në Paris si përfaqësues i Çamërisë dhe në letrën dërguar Konferencës së Paqes vuri në dukje përkatësinë shqiptare të çamëve dhe krahinës së tyre Çamërisë. Në 22 Qershor 1921 bashkë me një grup atdhetarësh arrin në Gjenevë ku i dërgon një letër Lidhjes së KombeveParis ku denonconte persekutimin dhe sulmet e nënpunësve grekë ndaj shqiptarëve në trevat shqiptare të cilat iu dhanë Greqisë në 1913.

Përfaqësoi shoqërinë "Vllazëria Çame" në kuvendin e mbledhur në Vlorë, 25 Prill - 3 Maj 1921 për bashkimin e shoqërive të ndryshme brend shtetit shqiptar dhe ngritjen e federatës "Atdheu", në këtë kuvend u zgjodh dhe si pjesë e komisionit me 10 anëtar, komision i cili përgatiti rendin e ditës dhe statutin. U zgjodh si kryetar i sesionit Çam në shoqërinë "Bashkimi". Në vitet në vijim i dërgon një numër të shumtë letrash që vinin në dukje përndjekjet e qeverisë greke në Çamëri nga viti 1920 deri në vitin 1923.

Në vitin 1925 burgoset në Gjirokastër e pas disa muajve në Burrel dhe Peshkopi nga ku u arratis për në Stamboll ku ushtroi profesionin e tij si mjek, nga viti 1940 dhe deri në fund të jetës drejtoi shëndetësinë në disa qytete turke. Vdiq në Stamboll më 27 Maj 1965.