Agamemnoni
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Agamemnoni (greqisht: Ἀγαμέμνων, Latin: Agamemnon) - mbreti mikenas dhe kryekomandanti i ushtrive të njësuara akease në luftën trojanë, i biri i mbretit Atre dhe i gruas së tij, Aeropës.
Krenar dhe i madhnueshëm, kurse në luftë trim, por mendjemadh dhe vetjak, në situata të vështira i pavendosur dhe xheloz në mënyrë skrupulloze në prestigjin e vet - i tillë është te Homeri, Eskili, Euripidi dhe Sofokliu. I tillë jeton deri më sot në romane dhe në teatro, i tillë me natyrën e vet na tërheq dhe na largon, kurse me fatin e vetë na mallëngjen.
Lindi në Mikenë ku ka sunduar babai i tij kur, pas vdekjes së mbretit Euriste, e merr fronin, i cili pas vetes nuk ka lënë trashëgimtar. Aty Agamemnoni e kaloi rininë me vëllaun, Menelaun, në atmosferën e intrigave dhe luftërave për pushtet që i zhvillonte i ati, Atreu me vëllaun e vet Tiestin. Që në rini ishte dëshmitar i lirimit të shëmtuar që e bën i ati mbi Plistenin dhe Tantalin, djemt e Tiestinit. Më vonë qe dëshmitar i vrasjes së të atit të cilin e vrau Egisti, i biri i Tiestit. Pasi që Tiesti e merr pushtetin në Mikenë, Agamemnoni me Menelaun strehohet në Spartë ku i pranon mbreti Tindare. Me rastin e parë kthehet për t'u hakmarrë për vdekjen e të atit. E vret Tiestin dhe si mbret i ligjshëm i Atreut shpallet mbret i Mikenës.
Gjatë disa viteve të sundimit Agamemnoni bëhet njëri prej sunduesve akeas me të fuqishëm dhe më të pasur. Jeton në miqësi me të gjithë mbretërit, madje u pajtua edhe me vrasësin e babait të tij, Egistin. Për kryeqendrën e tij flitej si për „Mikenën e pasur me flori". Ishte baba dhe burrë i lumtur kur vëllai i tij, Menelau, u martua me thjeshtrën, Helenën, ai u martua me motrën e saj, Klitemnestren dhe me të i pat katër fëmijë: djalin Orestin dhe të bijat Krisotemiden, Elektren dhe Ifigjeninë (në tekstet e lashta në vend të Elektrës shënohet Laodika, kurse në vend në Ifigjenisë Ifianta). Agamemnoni në qytetin e vet jeton qetë dhe në rahati,ka gëzuar respektin e gjithëmbarshëm, kurse i kërcënohej vetëm një - që mos të hyjë në mit i kurorëzuar me famën luftarake.
Mikenën një ditë e tronditi lajmi nga Sparta: Menelaut i cili pas vdekjes së Tindareut u bë mbret i Spartës, ia rrëmbeu gruan i biri i mbretit trojan, Paridi. Menelau menjëherë shkoi në Mikenë te Agamemnoni dhe e luti që t'i ndihmojë që t'ia kthejë gruan e rrëmbyer. Helena fundi i fundit, ishte gruaja më e bukur në mesin e të gjitha grave të vdekshme. I ati i saj ishte vetë Zeusi, zoti suprem, kurse Paridi e rrëmbeu deri sa ishte mysafir në Spartë. Dhe jo vetëm kjo: së bashku me të e ka marrë edhe thesarin e Menelaut. Ishte ky ofendimi më i rëndë ndaj mikpritjes dhe ndaj mbretit dhe bashkëshortit. Një krim i tillë nuk ka, mundur të mos dënohet.
Agamemnoni e këshillon vëllaun që të shkojë në Trojë me një negociator të shkathët, më së miri me Odiseun, mbretin e Itakës, që atje t'ia paraqesë babait të Paridit tërë situatën, Priamit, mbretit të Trojës. Menelau e ndegjoi, por me negociata nuk arriti asgjë. Paridi ishte i gatshëm që ta kthejë vetëm thesarin, kurse për Helenën as që donte të bisedonte. Menelau dhe Odiseu iu kërcënuan trojanëve me luftë, por Paridi mbet këmbëngulës në qëndrimet e veta, ndërsa Priami e përkrahte. Kur mësoi për këtë Agamemnoni u dërgoi kasnecët të gjithë mbretërve akeas, duke i ftuar që t'i ndihmojnë në hakmarrjen e veprës së Paridit dhe t'ia kthejnë Menelaut gruan dhe nderin.Ekspedita luftarake, në krye të së cilës vendosi që të bëhet mbreti i Mikenës, premtonte famën dhe plaçkën. Në limanin Aulida u tubuan 1186 anije dhe qindra mijëra njerëz të gatshëm që të nisen për në Trojë.
I vetëdijshëm për detyrat e veta të kryekomandantit, Agamemnoni nuk nguronte që të ofrojë edhe sakrificën e vet më të madhe që ekspeditës luftarake t'ia siguronte mirësinë zotërave - ia sakrifikon edhe të bijën e vet, Ifigjeninë hyjneshës Artemida, që me këtë të shpërblehet për atë që dikur e kishte ofenduar.
Pas lundrimit të rrezikshëm, plot me vështirësi, të paparapara, më në fund, iu afrua brigjeve trojanë. Ndonëse njësitë e zgjedhura trojanë, nën udhëheqjen e Hektorit, djalit të madh të Priamit, orvateshin ti pengonin akeasve të zbarkonin, Agamemnoni me sukses e zbatoi operacionin e zbarkimit.
Mirëpo, muret e larta të Trojës ushtria akease nuk i pushtoi. Për këtë arsye Agamemnoni e ngriti një kamp të fortifikuar nga i cili në mënyrë të pareshtur merrnin fushata kundër Trojës - plot dhjetë vjet, por kot.
Në fillim të vitit të dhjetë të luftës, në ushtrinë akease, shpërtheu pakënaqësia e cila ishte në kohë të gjatë. Ushtarët përmalloheshin për shtëpitë e tyre dhe dëshironin të kthehen, kurse udhëheqësit ushtarakë e humbën shpresën se do të pasurohen dhe do të fitonin famën luftarake. Kur lodhja për shkak të luftimit të pasuksesshëm arriti në kulminacion, shpërtheu mosmarrëveshja në mes të Agamemnonit dhe Akilit, luftëtarit më të suksesshëm akeas, udhëheqësit të mirmidonëve. Shkak i grindjes ishte gruaja. Në njërën prej ekspeditave në mbretëritë fqinje Akili e mori bijën e Krizit, priftit të Apollonit, e cila me rastin e ndarjes së plaçkave i takoi Agamemnonit. Pak më vonë Krizi vjen te kampi akeas dhe e lut Agamemnonin që t'ia kthejë bijën, ndërsa ai për shpërblim do t'i japë një shpërblim të pasur. Agamemnoni këtë e refuzon. Vajza i pëlqente prandaj me ofendim dhe kërcënime e dëbon babain e saj. Krizi pastaj i drejtohet Apolonit që t'i hakmirret. Apolloni i ofenduar me një trajtim të tillë të priftit të tij, zbriti prej Olimpit dhe fillon me shigjeta nga harku i argjend të mbjellë murtajën nepër kampin akeas.
Kur Agamemnoni nuk ndërmori asgjë që ta qetësojë ztin e zemëruar, ndërhyri Akili: i ftoi akejët në kuvend që të këshillohen se çka duhet të bëjnë. Agamemnoni e ndien veten të ofenduar, sepse organizimin e kuvendit e konsideronte si të drejtë të vetën. Por, megjithatë erdhi, kuptohet, me hidhërim në zemër dhe me qëllim që Akilit t'ia tregojë fuqinë e vet. Falltori Kalkant tha në kuvend se zemërimi i Apollonit mund të zbutet vetëm me kthimin e vajzës së Krizit, por pa kurrfarë shpërblimi dhe duhet mos kërkuar falje. Agamemnoni në fjalët e falltorit reagoi shumë ashpër. U vërsul në Kalkantin dhe kur Akili fillon ta mbrojë, u vërsul në të dhe e fyen rëndë. Pas zënkës së ashpër në të cilën asnjëri as tjetri nuk i zgjedhnin fjalët, Agamemnoni lëshoi pe. Premtoi se për hirë të interesit të ushtrisë do të heqë dor prej vajzës së Krizit dhe si shpërblim për vete do të zgjedhë një dashnore tjetër të një udhëheqësi ushtarak. Kështu ai e zgjodhi Briseiden,dashnoren e Akilit. Akili iu nënshtrua vendimit të kryekomandantit, edhe pse nuk do të luftojë deri sa Agamemnoni dhe të gjithë akejët, të cilët nuk qenë në anën e tij ta lusin dhe mos t'i japin satisfaksionin e plotë.
Më kot e qortonin Agamemnonin udhëheqësit e tjerë akeas, e sidomos plaku Nestor nga Pilosi, trimi Diomed nga Argu dhe Odiseu dinak nga Itaka. Komandanti mbeti këmbëngulës në të vetën dhe e futi armatën e vet në vështirësi. Ndërkaq, kur trojanët mësuan se Akili, njeriu prej të cilit frikësoheshin, më së shumti u tërhoq nga beteja, dolën nga qyteti, i detyruan akeasit të zmbrapsen dhe u përgatiten për sulmin vendimtar në kampin e tyre. I mbërthyer nga vështirësitë Agamemnoni i dërgon Akilit delegatët për të kërkuar falje dhe për të propozuar pajtimin. I ofron kthimin e Briseidës, mandej edhe shtatë vajza të tjera si dhe dhurata të begatshme, vetëm që të kthehet në betejë. Akili nuk ia vuri veshin ndjesës dhe as dhuratave. Akeasëve nuk u mbeti tjetër veçse të luftonin pa të. Edhe pse luftonin trimërisht, trojanët i dëbuan gjer në det. Agamemnoni luftonte trimërisht në vijat e para, siç i ka hije udhëheqësit. Kur, për shkak të plagosjes dhe gjakderdhjes së madhe, u detyrua të tërhiqet nga fushëbeteja u propozoi udhëheqësve të tjerë që ta braktisin betejën dhe duke ikur t'ua shpëtojnë jetën ushtarëve. Mirëpo, ushtarët luftonin vendosmërisht edhe më tutje e me ta edhe udhëheqësit e tjerë. Kështu e pritën kthesën e çuditshme. Kur Akili, ndërkaq, sheh se Hektori ia vuri zjarrin një anije akease, e lejoi mikun e vet, Patroklin, që ta veshë parzmoren e tij dhe të hyjë në betejë, në krye të mirmidonasve. Trojanët e panë armën e Akilit dhe duke menduar se në betejë ka hyrë ai, në tollovi filluan të ikin. Patrokli, i cili kështu i shpëtoi anijet dhe kampet, nuk u kthye nga beteja. U vra duke e ndjekur Hektorin. Akili hyri atëherë në betejë për t'ia marrë gjakun mikut të vrarë. Prandaj propozimin e Agamemnonit për pajtim dhe dhuratat e tija e luftoi nën udhëheqjen e tij tërë kohën deri sa ra trimërisht nën muret e Trojës.
Akeasit, më në fund, e pushtuan Trojën me ç'rast u ndihmoi edhe dinakëria luftarake. Në propozim të mbretit Odise e ndërtuan një kalë të madh prej druri dhe në të i fshehën luftëtarët më trima. Pastaj Agamemnoni ia futi zjarrin kampit, ushtarët i ngarkoi në anije dhe lundroi për në perëndim. Por jo në Greqi, siç mendonin trojanët. U fsheh pas ujdhesës Tenedos dhe natën, sërish, u kthye me ushtrinë. Në ndërkohë të trojanët e kishin futur kalin në qytet, madje e rrënuan edhe një pjesë të murit që të mund ta futnin kalin brenda. I besuan tregimit të Sinonit, ushtarit akeas, të cilin Odiseu (me udhëzime përkatëse) e la të lidhur në bregdet, se kali i madh është dhuratë e akeasve hyjneshës Athenë në mënyrë që në të ardhmen ta mbrojë qytetin. Natën luftëtarët dolën nga kali, i mposhtën rojet të cilët nuk parandien asgjë. Sinoni jep shenjën e paracaktuar Agamemnonit dhe ky vërsulet nëpër zgavrën e murit në qytet. Në mëngjes vetëm grumbujt e gërma-dhave dhe hiri i ngrohtë ishin gjurmë të qytetit të famshëm - Troja.
Me anijen përplot flori, argjend, bronzë dhe shërbëtore Agamemnoni u kthye ngadhënijmtar në Athinë. Kur shkel në tokën e vendlindjes, i mallëngjyer e puthi dhe zotërave u ofroi flijime mirënjohëse. Pastaj urdhëroi që në kodrën pranë bregdetit të ndizet turra e madhe. Para shkuarjes në luftë i premtoi bashkëshortes së vet se kështu do t'ia paralojmërojë kthimin e vet fatlum. Klitemnestra priste me padurim shenjën e caktuar. Por jo vetëm. Deri sa Agamemnoni ishte në Trojë dhe luftonte atje, në Mikenë erdhi nipi i tij, Egisti dhe ia ngashnjeu gruan. Ne fillim Klitemnestra e largonte ngashnjyesin, por pastaj iu nënshtrua miklimeve të tij dhe tani ,këta të dy e kishin planin të përgatitur se si të lirohen prej Agamemnonit. Egisti e pret Agamemnonin triumfalisht, e shtin në dhomën solemne, dhe kur gostia ishte në kulminacion, u dha shenjë ushtarëve të fshehur të cilët Agamemnonin dhe të gjithë shokët e tij i mbysin mizorisht (si kaun në grazhd siç thotë Homeri). Egisti e varros Agamemnonin në rrafshirën nën muret,martohet me Klitemnestrën dhe shpallet mbret i Mikenës.
Fatet e Egistit dhe të Klitemnestrës janë përpunuar veçmas në një vend tjetër, si edhe fatet e fëmijve të Agamemnonit. Por këtu është e nevojshme të shtohet edhe diçka. Ajo që bëri në vitin 1876 Heinrich Schliemamanni (Hajnrih Shlimani). Kur në vitet 1871-1873 nxori në dritë gërmadhat e Trojës, në ekzistencën e së cilës shumica e shkencëtarëve të asaj kohe në kuptimin e plotë të fjalës kanë dyshuar, shkoi në Mikenë për të hulumtuar varrezën e mbretit Agamemnon. Ky mbështetej në të dhënat e epeve të Homerit, Orestisë së Eskilit, Elektrës së Euripidit dhe të përshkrimit të Helladës të Pauzanit, i cili e vizitoi Mikenën në shek. II të e.s. Në rrafshinën e rrethuar te muret, në thellësi rreth tetë metra i zbuloi pesë varre dhe mbeturinat e pesëmbëdhjetë të vdekurve thjesht të veshur me flori dhe stoli. Pajisjet dhe armët e tyre përputheshin me përshkrimin e Homerit. Në fytyrat e të vdekurve ishin maskat e floririt, të cilat paraqitnin shembulltyrën e tyre. Shlimani vetë ka mundur të bindet në atë, sepse në njërën prej tyre e gjet të paprishur fytyrën e mumifikuar të sunduesit të vdekur mikenas. Në entuziazmin e vet mendonte se në duar të veta e kishte frytyrën e vet Agamemnonit. „I zbulova varret, të cilat Pauzani, duke u mbështetur në traditën i ka përcaktuar si varret e Agamemnonit, Kasandrës, Eurimendontit dhe shokëve të tyre të vrarë pas kthimit nga Troja, të cilët i vranë tinzari Egist dhe Klitemnestra e pabese !" Mirëpo, hulumtimet e mëvonshme treguan se njerëzit, mbeturinat e të cilëve i ka zbuluar Shlimani në Mikenë kanë jetuar me siguri 400-500 vjet para rrënimit të Trojës dhe ndoshta para se sa ka mundur të jetojë Agamemnoni. Ka mundur të jetojë ? Dëshmi të drejtpërdrejta për ekzistimin e tij fizik nuk kemi. Mbetet, pra, që edhe pas zbulimeve të Shlimanit ta konsiderojmë trim nga mitet.